Agjencia Kosovare për krahasim dhe Verifikim të Pronës ka rrënuar tri shtëpi në lagjen “Sofalia”, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa banorët e kësaj lagje nuk kanë pranuar të prononcohen për medie.
Përderisa Shkëlzen Bajraktari, zyrtar për informim nga Agjenicën Kosovare për Krahasim dhe verifikim të Pronës, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, ka thënë se objektet e rrënuar gjatë së martës në “Sofali” janë janë struktura të paligjshme të ndërtuara në prone pa pëlqimin e pronarit.
“Sot me datën 20.10.2020 është bërë zbatimi i Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës KPCC/D/A/114/2011 të datës 22 Qershor 2011, Aktgjykimit të lëshuar nga Gjykata Supreme me datë 8 maj 2012 me nr. GSK-KPA-A-001/12 përkatësisht Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KI-187/13 datë 16 prill 2014. Ashtu siç edhe mund të jeni në dijeni Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë në prill 2020 Udhëzimin Administrativ 01/2020 me qëllim të përcaktimit të procedurave për aplikimin e mjetit juridik të shkatërrimit të strukturave të paligjshme nga ana e AKKVP lidhur me zbatimin e vendimeve të plotfuqishme të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Aktgjykimeve të Panelit të Ankesave pranë Gjykatës Supreme”.
“Miratimi i këtij udhëzimi administrativ ishte vlerësuar pozitivisht edhe në Raportin e Progresit për vitin 2020. Po në këtë raport theksohet nevoja që Vendimet Gjyqësore, duke përfshirë edhe Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen pa vonesa. Andaj duke marrë për bazë rëndësinë e zbatimit të këtyre vendimeve të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në rrugën e integrimeve evropiane që Kosova ka, Agjencioni ynë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në kuadër të mandatit te saj, në mënyrë që të bëjë implementimin e të gjitha vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore te Kosovës e sidomos ato qe kane Aktgjykime te Gjykatës Kushtetuese”.
“Këto objekte te cilat po rrënohen sot janë struktura të paligjshme të ndërtuara në prone pa pëlqimin e pronarit. Me Vendimin KPCC/D/A/114/2011 paraqitësit te kërkesës i është njohur e drejta e pronës, kurse ishte urdhëruar që pala përgjegjëse(në këtë rast specifik ndërtuesi i objekteve të paligjshme) që të bëjë lirimin e pronës. Vlen te theksohet se ndërtuesi i strukturës së paligjshme gjatë procesit te zhvilluar ne Agjencinë Kosovare të Pronës nuk kishte prezantuar ndonjë dokumentacion me të cilin do të pretendonte ndonjë të drejtë ligjore për pronën në fjalë”.