Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, bazuar në ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, më 11 dhjetor 2016 ka inspektuar në zonën tek rruga B, ku është konstatuar se trotuari pranë një lokali afarist ka pësuar ndryshime për nevoja të lokalit, dhe është shndërruar në tarracë të lokalit. Në të njëjtën ditë i janë ndaluar punimet dhe i është lënë fletëthirrja palës për t’u paraqitur në Inspekcion.
Pala nuk e ka respektuar vendimin dhe thirrjen e inspektorit, dhe ka vazhduar punimet. Më 19 dhjetor 2016, është konstatuar edhe njëherë degradimi i gjendjes në atë pjesë, dhe tashmë ka filluar edhe vendosja e tendës statike pa leje përkatëse. Sërish i janë ndaluar punimet, dhe e njëjta situatë ka vazhduar edhe në inspektime të tjera të inspektorëve, më 21 dhe 22 dhjetor.
Më 27 dhjetor, i janë ndaluar punimet sërish, dhe pala ka marr urdhëresën për ta kthyer trotuarin në gjendjen e mëparshme. Së bashku me këtë vendim, i është lënë edhe fletë-thirrja e dytë me radhë. Për mosrespektim të vendimeve dhe urdhrave të inspektorëve kompetentë, pala ka marrë edhe gjobë mandatorë sipas rregulloreve në fuqi.
Sot, një muaj më pas, më 27 janar 2017, meqë pala nuk i ka ndërmarrë masat sipas vendimit të inspektorëve, Drejtoria e Inspekcionit ka nisur rrënimit e pjesës pa leje të këtij lokali, gjegjësisht tarracës. Për më tepër, përgjatë rrënimit, është konstatuar se pala ka vendosur 9 radiatorë pa pëlqim paraprak, të cilët i ka lidhur ilegalisht me sistemin e ngrohjes së Termokosit.
Drejtoria e Inspekcionit iu bën thirrje edhe njëherë të gjithë pronarëve të lokaleve afariste, si dhe të gjithë qytetarëve të Prishtinës, që të mos zhvillojnë punime ndërtimore pa leje përkatëse, për shkak se do të përballen me gjobat dhe masat tjera nga inspektorët kompetentë.