Ka jetuar midis njerëzve të trevës së Rugovës. Ka shfrytëzuar të njëjtat rrugë malore, por rrallëkush e ka parë.
Edhe ata pak banorë që e kanë parë bashkëbanuesin në Bjeshkët e Rugovës e kanë quajtur mace e egër, edhe pse është i madh sa një qen Sharri, shkruan “Koha Ditore”. E që nuk është mace e egër, por është një rrëqebull ballkanik dhe i takon familjes së maceve grabitqare, pjesë e së cilës janë edhe luani, tigri, leopardi, pakkush e ka ditur.
Madje pak e hiç kanë pasur informata se kjo specie e rrallë jeton në këto vargmale, jo vetëm të Rugovës, por edhe në gjithë Bjeshkët e Nemuna. Për praninë e rrëqebullit në Bjeshkët e Rugovës kanë ekzistuar informacionet që gati një gjysmë shekulli. Por para syve të njerëzve kjo kafshë e ndruajtur dhe e kujdesshme është shfaqur rrallë, pasi ajo gjahun kryesisht e bën natën. E kjo është një prej arsyeve pse njerëzit shumë rrallë e kanë parë.
Fatin që ta kishte përballë dhe ta shikonte drejt në sy e kishte pasur ambientalisti i njohur rugovas, Fatos Lajçi, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore “Environmentally Responsible Action-Group” (ERA). Ishte viti i dytë pas luftës, kur ai së bashku me shokun e tij kishin kryqëzuar rrugët me rrëqebullin. “E kemi parë më 2000 përmbi lokacionin Maja e Zezë të Pejës. Kemi qenë shumë afër njëri- tjetrit”, kujton Lajçi takimin e parë dhe të vetmin deri tashti me “tigrin” e Rugovës.
Ky takim i papritur nuk e kishte lënë më të qetë. Më 2014, ai me OJQ-në ERA nis të grumbullojë me një projekt informacione për rrëqebullin nga banorët e të gjitha vendbanimeve të Bjeshkëve të Nemuna, të cilëve u ishin treguar fotografi të kafshëve të ndryshme që t’i identifikonin se çka janë, por jo të pyeteshin se a i kishin parë ndonjëherë. “Të rrallë kanë qenë ata që kanë thënë se e kishin parë, e tepër pak prej tyre kishin informacione për rrëqebullin”, tregon Lajçi për mungesën e njohurisë së banorëve për rrëqebullin. Mungesa e njohurisë dhe e informatës për rrëqebullin i ka kushtuar me jetë një individi të kësaj specie më 2009 në fshatin Pepaj të Rugovës, kur një bari e kishte vrarë një rrëqebull pa ditur se ç’ishte ai.
“Kur e kanë marrë vesh se çka është dhe cilat janë pasojat ligjore, fshati nuk ka treguar se kush e kishte vrarë. Pasi është vrarë ai rrëqebull, edhe fshatrat e tjera kanë mësuar se ç’ishte kjo kafshë. Në momentin kur e ka vra, kanë qenë dy rrëqebuj, e me siguri kanë qenë çift, pasi ishte koha e çiftimit”, tregon Lajçi për këtë rast, kur bariu nga mosnjohuria e kishte ndalur kështu reproduktimin e rrëqebullit, i cili kalon brenda natës deri në 40 kilometra në kërkim të gjahut. E kur e gjen prenë ai nuk lëviz deri në dy javë, derisa e ha dhe nuk largohet, se e ruan me fanatizëm. Rrëqebulli i rritur ushqim primar ka kaprollin, pastaj dhinë e egër. E derisa nuk e arrin këtë gjah, ushqehet me lepuj dhe shpendë…