Rreth 25 për qind e bizneseve janë mbyllur nga konkurrenca jo e drejtë

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 23:37 | Nga

Kreu i AKB-së (Aleanca Kosovare e Biznesit), Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot” thotë se, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në vendin tonë është i garantuar tregu i lirë, por edhe konkurrenca e lirë dhe e drejtë.

“Por e keqja është se në vendin tonë ende nuk po zbatohen ligji dhe Kushtetuta sa u përket disa çështjeve me rëndësi ekonomike, duke aluduar gjithmonë në konkurrencën e drejtë dhe fer, ngase jemi duke u rrezikuar nga informaliteti dhe konkurrenca jo e drejtë dhe jo fer.

Veç saj, ekonomia jonë po rrezikohet edhe nga konkurrenca monopoliste që kanë krijuar avantazhe për disa operatorë ekonomikë dhe që bizneset në Kosovë, rreth 25 për qind e tyre kanë deklaruar se janë mbyllur për shkak të konkurrencës së ashpër dhe konkurrencës së padrejtë dhe jo fer në treg, por edhe humbjes së fuqisë në treg nga korporatat e ndryshme, të cilat korporata përmes kanaleve politike kanë krijuar avantazhe dhe favore për vete dhe politika ditore”, është shprehur Shahini.

Ai shtoi se në kriteret për liberalizim vizash thuhet qartë se Kosova duhet që të jetë një vend ku sundojnë rendi dhe ligji dhe ku zbatohet MSA-ja dhe me të cilën sigurohet konkurrenca e lirë dhe e drejtë.”Derisa nuk zbatohet MSA-ja dhe sigurohet dhe të zbatohej kjo konkurrencë e lirë, Kosova do të ketë zvarritje të vazhdueshme, por edhe pengesa në thithjen e fondeve nga Komisioni Evropian, mirëpo edhe të përfitimit të lehtësirave, për të cilat vendi ynë për çdo vit po rrezikon që të humbë shumë miliona euro, për shkak të mosrespektimit të këtyre kritereve”, është shprehur Shahini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme