Komuna e Pejës nuk e ka përmbyllur procesin e emërtimit të rrugëve në pjesët urbane dhe rurale, të nisur para pesë vjetësh.
Komisioni paraprak që i ka emërtuar rrugët ishte formuar në prill të vitit 2014 nga Kuvendi Komunal i Pejës, shkruan sot “Koha Ditore”. Ky proces i emërtimit të rrugëve ka zgjatur plot tre vjet, ndonëse ai komision e kishte pasur për detyrë që deri në muajin korrik të të njëjtit vit të emërtojë rreth një mijë rrugë, kryesisht në vendbanimet rurale.
Mirëpo ajo listë, që ishte dërguar për vlerësim në Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë për Administrim të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë Kadastrale, menjëherë u është kthyer mbrapa me vërejtjet dhe kërkesat për përmirësimin e gabimeve të bëra, e ndërkohë ishin deponuar me dhjetëra ankesa të qytetarëve për emrat e rrugëve.
Kështu që procesi i përmirësimit të emërtimit të disa rrugëve ishte zhvilluar sërish dhe kishte zgjatur nga vitit 2015 e deri në vitin 2017, kur ka përfunduar procesi dhe lista e propozuar nga komisioni me rreth një mijë rrugë të emërtuara në 78 fshatra dhe në disa rrugë të qytetit të Pejës, ishte aprovuar nga Kuvendi Komunal në korrik të vitit 2017. Por tek pas një viti, në shtator të vitit 2018, kishte nisur vendosja e tabelave për shkak se Komuna nuk ndante mjete për projektin e vendosjes së tabelave, të cilin pastaj me rreth 100 mijë euro e ka financuar Qeveria e Norvegjisë.
Vetëm një muaj pasi kishte nisur vendosja e tabelave me emra të rrugëve, për shkak të ankesave të shumta që dorëzoheshin në komunë, Kuvendi Komunal krijon në muajin tetor komisionin tjetër për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve dhe rrugicave, e cili tek në muajin shkurt të vitit 2019 ishte funksionalizuar.
Afati për dorëzimin e ankesave ishte caktuar deri me 15 maj. Ndërkohë vazhdonte procesi i vendosjes së tabelave, i cili ka përfunduar në muajin qershor, por paralelisht ankesat shtoheshin dhe për shkak të ankesave të shumta, kryesisht të banorëve të vendbanimeve rurale, komisioni shtynë afatin për parashtrimin e ankesave deri me një shtator. Gjatë periudhës së lejuar për dorëzimin e ankesave, për gati 30 për qind të rrugëve të emërtuara ka pas ankesa. “Ankesat janë dyfishuar krahasuar me herën e kaluar para se është miratuar në kuvend kjo listë më emërtimin e rrugëve. Ne kemi pranuar rreth 300 ankesa, prej të cilave 60 janë nga banorët e qytetit, kurse të tjerat janë ankesa të banorëve të fshatrave.