Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj, ka thënë se situata e zjarreve në Kosovë është jashtë normales, me shumicën prej zjarreve që dyshohet se janë shkaktuar “nga dora e njeriut”, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, vetëm nga e premtja deri më sot janë regjistruar 294 raste të zjarreve, ndërsa në javën e parë të marsit janë raportuar 57 raste të tjera.
“Kjo gjendje paraqet rrezik për qytetarët dhe në ditët e fundit është ndjerë kjo gjendje. AME është aktivizuar në shuarjen e zjarreve dhe nga statistikat që kemi marrë është si në vijim: Vetëm në javën e parë 57 raste të zjarrit, ndërsa nga data 7 deri më 10 mars mbi 290 raste të zjarreve kanë qenë. Zjarret më serioze janë në Drenas, Kamenicë dhe Malishevë. Nëse flasim për shkaqet janë kryesisht dora e njeriut dhe ne si AME kemi ngrit gjendjen e gatishmërisë dhe që nga sot do të fillojmë patrullimin në tërë Kosovën”, tha ai.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë apel qytetarëve që të raportojnë menjëherë rastet e zjarreve dhe të dyshuarit për zjarrvënie, duke theksuar se një gjë e tillë mund të bëhet edhe në mënyrë anonime.
“Inkurajojmë qytetarët të mos hezitojnë të raportojnë rastet dhe personat e involvuar, në mënyrë që të kemi parandalim dhe zvogëlim të rreziqeve. Kjo situatë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private”, tha Metaj.
Si rezultat i zjarreve aktuale, Metaj tha se është rritur gatishmëria në nivel vendi dhe janë ndërmarrë hapa për patrullime të rregullta të zjarrfikësve në të gjitha komunat. Po ashtu, Policia e Kosovës është angazhuar për të intensifikuar patrullimet dhe hetimet për të ndëshkuar përgjegjësit.
Edhe pse Kosova ka 739 zjarrfikës aktivë, një numër që Metaj tha se konsiderohet i mjaftueshëm për situata normale, rastet e fundit kanë vënë në vështirësi operacionet e shuarjes së zjarreve.
