Ndërmarrja “Termokos” ka planifikuar të bëjë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë.
Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka deklaruar se nuk do të përfshihen qytetet e tjera në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes pasi që ndërmarrja është e obliguar të operojë vetëm në Komunën e Prishtinës.
“NP “Termokos” SH.A. me Ligjin për ndërmarrjet publike, është ndërmarrje komunale, aksionare e së cilës 100% është Komuna e Prishtinës. Andaj, ligjërisht është e obliguar të operojë vetëm në Komunën e Prishtinës”, tha ajo për Front Online.
Uka shpjegon se ngrohtorja “Termokos” është duke bashkëpunuar me Bankën Gjermane për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në disa lagje të kryeqytetit, ku pritet të ketë ngritje të numrit të konsumatorëve të rinj për afër 5 mijë.
“Me projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që janë zhvilluar deri më tani dhe me ato që janë në proces llogaritet se do të kemi një ngritje të numrit të konsumatorëve për rreth 5 mijë konsumatorë të rinj. Zgjerim të këtij rrjeti do të ketë në një pjesë të lagjes “Mati 1”, përkatësisht përreth rrugës “Muharrem Fejza”, tek disa objekte të vjetra banesore në lagjen “Qendër”, “Ulpiana”, “Dardania”, një pjesë lagjes në afërsi të Parkut të qytetit, si dhe për një pjesë të lagjes “Arbëria”, tha tutje ajo.
Uka-Fejzullahu përmendi donatorët që po investojnë në zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes si Qeveria Gjermane, Luksemburgut dhe Amerikane.
“Janë ndarë fondet në vlerë të mbi 12 milion eurove nga Qeveria Gjermane nëpërmes KfË-së, Qeveria e Luksemburgut, Komuna e Prishtinës dhe “Termokos”. Ndërkaq, për projektin për vendosjen e matësve të energjisë termike janë ndarë 11 milion dollarë nga Qeveria amerikane nëpërmes MCC-së (Millenniun Challenge Corporation)”.
Rritja e numrit të konsumatorëve të “Termokosit” varet nga kapacitetet termike si dhe fondet për gjatë viteve që do t’i ketë në dispozicion “Termokosi”.