Termeti tragjik i 26 Nëntorit shkaktoi 48 viktima ndërsa po kërkohet ende nën rrënojat e “Mira Mare” në Durrës. Sakaq, plot 900 persona janë paraqitur në urgjencë për ndihmë mjekësore, gjatë këtyre 4 ditëve. Ministria e Shëndetësisë bëri një bilanc paraprak të personave të plagosur apo traumatizuar, duke thënë se aktualisht janë 63 qytetarë të shtruar në spitale.
Informacioni i plotë zyrtar i Shëndetësisë
Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar/ të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor
Shkon në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.
Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje më të rënduar.
Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.
Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë.
Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar