Mesfushori uellsian, Aaron Ramsey, ka shkëlqyer në javën e parë si lojtar titullar te Juventusi dhe duket se rreziku i ekipit italian për ta transferuar ish-lojtarin e Arsenalit teksa ishte ende i lënduar, po shpaguhet.
Ramsey u transferua te Juventusi para fillimit të këtij edicioni si lojtar i lirë dhe ka pagë prej 500 mijë eurosh në javë. 28-vjeçari ka impresionuar në tri paraqitjet e para te Juventusi, ndërkohë që ka lënë prapa lëndimin që e pësoi sa ishte tek Arsenali, shkruan sot Koha Ditore.
Ai shënoi gol në debutimin e tij kundër Veronas më 21 shtator, kurse vazhdoi me paraqitje të mira edhe në dy ndeshjet e tjera kampionale me Brescian e SPAL-in, të cilat Juventusi i fitoi.
“Tri fitore në tri paraqitje në Serie A brenda një jave. Tash është koha për Champions”, ka shkruar Ramsey në rrjetin social Twitter.
Juventusi, të martën (sot) mbrëma do të luajë në Torino kundër Bayer Leverkusenit në kuadër të Grupit D të “Championsit”. Në xhiron e parë, të luajtur para dy javëve, Juventusi barazoi 2:2 në Madrid kundër Atleticos. Në këtë ndeshje, Ramsey u fut në lojë nga banka rezervë në minutat e fundit.