Rrëzimi i një avioni ushtarak algjerian pranë kryeqytetit, i mori jetën të paktën 257 personave në bord. Mjeti fluturues u rrëzua menjëherë pas nisjes nga aeroporti i Boufarik, në perëndim të Algjerit.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë më të rëndë ajrore në historinë e vendit. Qeveria shpalli 3 ditë zie kombëtare. Ministria e mbrojtjes bëri të ditur se shumica e viktimave janë personel ushtarak dhe familjarë të tyre.
Mes të vdekurve thuhet të jenë edhe 30 pasagjerë nga Saharaja Perëndimore, një territor i aneksuar nga Maroku pas tërheqjes së Spanjës në 1975-ën. Avioni, një Ilyushin Il-76, po udhëtonte drejt Tindouf në jug-perëndim të vendit, shkruan Top Channel.
Rajoni, i cili kufizohet me Saharanë perëndimore, strehon kampe refugjatësh dhe shërben si bazë për frontin Polisario, që kërkon pavarësinë e territorit. Aksidenti i së mërkurës është më vdekjeprurësi në botë, që prej korrikut të vitit 2014, kur 298 personat në bordin e avionit me numër fluturimi MH17 të Malasyan Airlines, humbën jetën kur mjeti u qëllua në lindje të Ukrainës.
Ajo e së mërkurës është gjithashtu katastrofa e dytë ajrore më vdekjeprurëse, që prej 2003-shit. Autoritetet po punojnë për të identifikuar viktimat. Imazhe nga vendi i ngjarjes treguan tymin që ngrihej nga mbetjet e avionit të rrëzuar në një fushë.