Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sektori i sigurimeve, që përfaqëson rreth 3.0 për qind të gjithsej aseteve të sistemit financiar, në dhjetor 2016 shënoi rritje vjetore prej 6.1 për qind.
“Një ndër kontribuesit kryesor në rritjen e aseteve të sektorit të sigurimeve ishte rritja e parave të gatshme të mbajtura në bankat komerciale, që ka pjesëmarrjen më të madhe në strukturën e aseteve të kompanive të sigurimit”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.
Sipas këtij raporti sigurimet jo-jetë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të sektorit me 89.9 për qind të gjithsej aseteve, shënuan rritje vjetore prej 5.8 përqind. Ndërsa sigurimet ‘jetë’, që përbëjnë pjesën e mbetur të aseteve, shënuan rritje vjetore prej 8.3 përqind.
“Gjatë vitit 2016, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arritën vlerën prej 83.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.4 për qind. Struktura e primeve të shkruara kryesohet nga primet e sigurimit jo-jetë të cilat përfaqësojnë 96.9 për qind të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e realizuar e primeve të shkruara nga sigurimi jo-jetë arriti në 80.9 milionë euro në vitin 2016, që tregon për një rritje vjetore prej 4.7 për qind. Ndërsa, vlera e primeve të shkruara nga sigurimi jetë arriti vlerën 2.6 milionë euro, duke shënuar një rënie vjetore prej 3.7 përqind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.