Komuna e Prishtinës ka rezultuar t`i ketë rritur të hyrat vetjake për afro 2 për qind në disa kategori gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Por ka një sërë linjash të tjera buxhetore ku të hyrat kanë rënë. Në anën tjetër, është shumëfishuar rritja e shpenzimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë buxhetore me vitin e shkuar, krahasuar me të hyrat, shkruan sot Koha Ditore.
Përderisa rritja e të hyrave është për 1.92 për qind, rritja e shpenzimeve është 10.5 për qind më shumë, shkruan në raportin e tremujorit të fundit të Komunës, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore” .
Kështu, të hyrat tatimore dhe jotatimore kanë shënuar një rritje prej 1.92% , që korrespondon me 120,360.19 € më shumë krahasuar me tremujorin e vitit paraprak. Kjo rritje ka ardhur në masë të madhe nga realizimi i të hyrave nga tatimi në pronë, gjobat nga gjykata, infrastruktura rrugore etj.