Shqipëria dhe Maqedonia kanë një fluks të lartë tregtar në importin dhe eksportin e prodhimit bujqësor edhe për shkak të afërsisë gjeografike.
Nxitja dhe lehtësimi i marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në fushën e bujqësisë, kjo edhe në kuadër të zbatimit të tregtisë së lirë si dy vende të CEFTA-s, ishte në qendër të një takimi të zhvilluar në Ohër mes ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi dhe ministrit maqedonas të Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore, Lupço Nikolovski.
Volumi tregtar në sektorin e bujqësisë për vitin 2017, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte rreth 3.3 miliardë lekë. Raporti eksport/import është përmirësuar nga 1:3.3 në 2016, në nivelin 1:2.3 në vitin 2017. Produktet më të eksportuara vazhdojnë të mbeten produktet e freskëta: domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta, prodhime brumi etj.
Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA 2006 dhe që nga viti 2011, tregtia mes dy vendeve është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore.
Në kuadër të vendeve CEFTA, Maqedonia është një ndër tre partnerët tregtarë kryesorë, nga ku origjinojnë 30.1% të importeve të produkteve bujqësore dhe shkojnë 12.7% të eksporteve.