Taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ka bërë që të rritet konsumimi i produkteve vendore, thonë përfaqësues të bizneseve.
Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në ekonominë kosovare nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor 2018. Në këtë hulumtim, AKB thuhet të ketë anketuar 300 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore, tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës.
Lumnije Ajdini, menaxhere e përgjithshme e AKB-së, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimit del se te bizneset kosovare, masa prej 100 për qind, ka dhënë efekte pozitive për prodhimin vendor.
Prodhimtaria vendore, shton Ajdini, përgjatë kësaj periudhe kohore ka shënuar rritje për 25 për qind.
“Bizneset tregojnë se është rritur shitja e produkteve të tyre përgjatë kësaj periudhe që nga vendosja e taksës 100 për qind, në industrinë ndërtimore 40 për qind, në atë ushqimore 25 për qind, transport 20 për qind, tregti dhe shërbime 5 për qind dhe të tjera 10 për qind, për shkak se prodhuesit e Kosovës kanë rritur kapacitete prodhuese është rritur edhe punësimi”, thotë Ajdini.
Kompania Pestova, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates është një nga kompanitë e shumta vendore, të cilat thonë se është shënuar rritje e prodhimit.
Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është rritur dukshëm prodhimi dhe numri i të punësuarve.
“Pas taksës 100 për qind, e cila ka qenë e domosdoshme, është bërë një rritje e madhe e konsumit të produkteve vendore. Po flas për rastin tonë, që në kompani, ne kemi zgjatur orarin e punës po punojmë më tre ndërrime dhe po ashtu edhe gjatë vikendit. Rritja e prodhimit ka bërë që të rritet edhe numri i të punësuarve në kompani”, thotë Kosumi.
Tregtia vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar në Kosovë, duke lënë anash prodhimin. Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale, për të fuqizuar sektorin e prodhimit.
Për rritje të kapaciteteve prodhuese vendore, Ajdini thotë t’i kenë rekomanduar kompanive prodhuese që të rrisin cilësinë e produkteve si dhe i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës të subvencionojë bizneset prodhuese, në mënyrë që këto të fundit të fuqizohen.
“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës të heqë taksat për grurë, misër, miell, vaj, detergjent dhe në produktet tjera esenciale që ndikojnë në shportën e konsumatorit. Të mbështetet promovimi i biznesit vendor më shumë. Po ashtu, për të parandaluar kontrabandën, kërkojmë nga institucionet që në pikë 1 dhe 31 dhe në brezin kufitar me Serbinë të shtojë numrin e pjesëtarëve të doganave dhe të policisë”, thotë Ajdini.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pati kërkuar nga prodhuesit që të fokusohen në ngritjen e cilësisë.
Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar.
Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kap vlerën e mbi 300 milionë eurove në vit, kurse importi i produkteve të huaja në vend arrin rreth 3 miliardë euro në vit.