Administrata e Prizrenit ka publikuar raportin e mbledhjes së mjeteve vetjake për përudhën 3-mujore. Arkëtimi i të hyrave nga taksa për menaxhimin e mbeturinave, sipas organeve komunale, është përmirësuar.
Trendi në rritje i arkëtimit të mjeteve nga kjo taksë, sipas zyrtarëve lokalë, bazohet në kushtëzimin e disa dokumenteve që jepen nga Komuna, por edhe nga shërbimet e grumbullimit me orar të mbeturinave, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Arkëtimi i taksës së mbeturinave ka një trend të rritjes dhe kjo rritje është e vazhdueshme, në krahasim me vitet e mëparshme. Jemi të kënaqur me ecurinë e deritashme”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike i Komunës së Prizrenit, Sulltan Badallaj.
Bazuar në raportin tremujor të realizimit të buxhetit komunal, del se pushteti lokal nga menaxhimi i mbeturinave ka planifikuar që të arkëtojë 1,25 milionë euro dhe për tre muaj ka arkëtuar 277 mijë euro, apo 22 për qind. Ky trend është më i mirë në krahasim me treguesit financiarë të vitit të kaluar.
Në raportin vjetor financiar të Komunës figuron se te taksa nga menaxhimi i mbeturinave ishin planifikuar 1.86 milionë euro dhe se janë arkëtuar 1.08 milionë euro, apo 58 për qind.