Nëntëmujori i parë i këtij viti është shënuar me 250 raste të reja me gra që janë prekur me kancer të gjirit, për dallim nga viti paraprak 2015, gjatë së cilit u shënuan 205 raste me këtë sëmundje.
Këtë e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai thotë se bazuar në të dhënat e mëhershme, deri në fund të këtij viti mund të preken rreth 300 gra me kancer në gji. Por, kjo rritje, sipas Hysenit, nuk nënkupton shtim të numrit të të prekurave me këtë sëmundje, por rritje e numrit të grave që e raportojnë sëmundjen.
“Në çdo 8 gra, një grua është e rrezikuar nga kanceri i gjirit. Andaj diagnostikimi i hershëm është shumë i rëndësishëm. Sa i përket rasteve të reja, në vitin 2016 është shtuar numri i raportimeve të rasteve të reja, dhe në krahasim me vitin 2015, këtë vit do të dalë numri më i madh i grave të prekura me kancer, por që nuk do të paraqet rritje reale, por shtim të raportimeve”, ka bërë të ditur Hyseni.
Kushtet e trajtimit që ofron Instituti Onkologjik janë relativisht të mira, ka thënë Hyseni. Sipas tij, aty kryhen shërbimet e mjekimit sistemik, kimioterapia, hormono-terapia, radioterapia si dhe terapia target.
Por, pacientët thonë se ndonëse shërbimi në Institutin Onkologjik është në nivel, shumë barna duhet t’i blejnë vetë.
Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanceri i gjirit është patologjia që po shënon rritje. Andaj, në muajin tetor do të ketë aktivitete të ndryshme nga kjo shoqatë nëpër Komuna të Kosovës për ngritje të vetëdijes së grave lidhur me sëmundjen, qoftë përmes ligjëratave, por edhe me aktivitete të tjera.
E, bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.
Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur. /REL