Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se vendi po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja me COVID-19, me tendencë të rritjes edhe në ditët në vijim.
Andaj, IKShPK-ja ka apeluar qytetarët që të bartin maskat në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen ndaj COVID-19.
“MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksininohen kundër COVID-19”.
Tutje, Instituti ka treguar se kur qytetarët duhet të testohen dhe cilat kategori këshillohen që të vaksinohen ndaj virusit.
“Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.
“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personath e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë” thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër viktima dhe 1,401 raste të reja