Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka takuar sot drejtorët e spitaleve të përgjithshme si dhe të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e spitaleve dhe përgatitjet për situatën epidemiologjike. Sipas tij, situata në spitalet e vendit aktualisht është stabile.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zemaj ka thënë se spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet.
“Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty.
Llogaridhënia me transparencën janë të pandashme në punën tonë ditore, ky është edhe detyrimi i secilit menaxher e drejtues në sektorin publik. Tashmë kur po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, pres nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, rritmi i punës nuk do të ulet, puna do të vazhdoj me përkushtim të shtuar”, ka shkruar Zemaj.