Kosovarët po vazhdojnë ta paguajnë tatimin në pronë më shtrenjtë më 2023-ën sesa viteve paraprake.
Sebep për këtë u bë rivlerësimi i pronave të tyre nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Si rezultat, të hyrat e komunave nga mbledhja e tatimeve në pronë janë rritë dukshëm.
Pa i konsultuar fare komunat, Ministri i Financave, Hekuran Murati përfshiu në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, idenë që qytetarëve t’u falen deri në 100 euro të vlerës së tatimit për këtë vit.
Ligji ka shkuar në Kushtetuese. Pezullimi i vendimit për ndryshimet në Ligjin për Tatimin në Pronë, nga Kushtetuesja rrezikon që të humb afatet që janë paraparë për faljen e 100 euro tatim për qytetarët.
Kjo pasi sipas vendimit më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë
E Kushtetuesja më 4 shtator vendosi që vendimi për ndryshimet në këtë ligj të pezullohet deri në nëntor të këtij viti. Verdikti nuk është bërë publik akoma.
Fitimet e komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit
11.2 milionë euro nga tatimet mblodhi komuna e Prishtinës nga janari e deri në shtator të këtij viti.
Kurse gjatë gjithë vitit të kaluar 2022, shuma e mbledhur, ishte 7.1 milionë euro. Kurse më 2021, 8.7 milionë sosh.
Trashja e buxhetit nga kjo kategori vërehet edhe tek komunat tjera.
Prizreni ka arkëtuar 3 milionë euro sivjet deri në shtator, kurse vjet gjatë gjithë vitit 2 milionë.
2.6 milionë i grumbulloi më 2021.
Gjilan ka trashë buxhetin më 2023 sa i përket tatimit në pronë, duke përfituar 2.6 milionë, mbi gjysmë milioni më shumë se në vitin 2022 dhe 2021.
Fitimet e Ferizajt, Pejës, Mitrovicë dhe Rahovecit
Në mesin e komunave të mëdha hyjnë edhe Ferizaj, Peja, Mitrovica dhe Rahoveci.
Ato korrën fitime të mëdha nga tatimi në pronë.
Ferizaj rrafsh 1 milionë euro më tepër më 2023 sesa më 2022 dhe 900 mijë më tepër sesa më 2021
Peja fitoi 2.2 milionë nga janari deri në shtator të këtij viti.
Mitrovica preku shifër milionëshe për herë të parë në tri vjetët e fundit, duke arkëtuar 1 milion euro më 2023.
900 mijë i përfitoi edhe Rahoveci. Të dyja këto komuna kishin arkëtuar më pak më 2022 dhe 2021.
Asociacioni i Komunave: Mirëpresim rritjen, të hyrat përkthehen në investime kapitale
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha për Front Online se e mirëpresin rritjen e të hyrave komunale nga tatimi në pronë.
Ai siguroi se të hollat përkthehen në investime kapitale, që janë në dobi të qytetarëve.
“Ka miliona euro rritje. Kjo është pozitive, sepse po tregohet gatishmëria e qytetarit me pagu tatimin. Parët kthehen në investime kapitale”, u shpreh Ibrahimi
Ai tha se tash për tash tatimi në pronë, paguhet më të shtrenjtën, teksa koment pati edhe për Ligjin e Tatimit në Pronën e Paluajtshme, që është në Kushtetuese.
Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Kjo është kundërshtuar nga komunat.
“Po e presim vendimin final të Kushtetueses. Të shohim çka po ndodh. Tatimi në pronë paguhet ashtu qysh ka vendos Ministria kur e ngriti tatimin në pronë. Komunat i kanë mbledh deri tash 95 % të të hyrave”, theksoi Ibrahimi
Ekonomistët për fitimin e komunave nga rritja e tatimeve në pronë: Po dëmtohen qytetarët
Ekonomistët vlerësojnë se rritja e tatimit në pronë është e papërballueshme për qytetarët, meqë sipas tyre pagat nuk është se janë ngritur në Kosovë.
Sipas ish-ministrit të Financave, Haki Shatri trashja e buxhetit komunal po bëhet në kurriz të qytetarit.
“Janë rritë të hyrat komunale nga tatimi në kurriz të qytetarëve. Cfarë miri kush po të thotë që është mirë. Kur vijnë zgjedhjet qytetarët duhet me mendu mirë kënd e sjellin në krye”, u shpreh Shatri.
Ekonomisti Erzen Hyseni thotë se tatimi u rrit, por jo edhe pagat.
“Duke e parë se kemi një rritje të çmimeve dhe duke e ditur që pagat kanë mbetur të njëjta e nuk janë rritur fare, kjo ngritje e tatimit në pronë është një kosto shtesë për qytetarët, të cilët do ta kenë shumë të vështirë ta përballojnë edhe këtë rritje të tatimit”, pohoi Hyseni
Ligji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.