Krahasuar me vitin 2017, rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto në Kosovë për vitin 2018 është 3.82 për qind. Kështu thuhet në raportin “Produkti i Brendshëm Bruto sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, viti 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Agjencia njofton se Produkti për kokë banori për këtë vit ishte 3,746 euro.
“Produkti i Brendshëm Bruto me çmime aktuale në vitin 2018 ishte 6.73 miliardë euro. Rritja reale në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017, ishte 3.82 për qind, ndërsa për kokë banori ishte 3,746 euro”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.
Për sa i përket aktiviteteve ekonomike, shërbimet financiare dhe të sigurimeve patën rritjen më të madhe, ndërsa në anën tjetër bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi patën rënie.
“Rritje reale për vitin 2018 kishte te aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 17.9 për qind, administrimi publik dhe i mbrojtjes, sigurimi i detyrueshëm social me 9.5 për qind, ndërtimtaria me 9.3 për qind, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale me 8.1 për qind, tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave me 7.6 për qind, informimi dhe komunikimi me 5.1 për qind, industria nxjerrëse me 4.2 për qind, transporti dhe magazinimi me 4.1 për qind, edukimi me 3.9 për qind, aktivitetet administrative dhe mbështetëse me 3.9 për qind, industria përpunuese me 3.4 për qind, hotelet dhe restorantet me 2.9 për qind, afarizmi me pasuri të patundshme me 2.8 për qind, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 2.7 për qind, arti, zbavitja dhe rekreacioni me 2.3 për qind, shërbimet e tjera me 1.4 për qind dhe furnizimi me ujë me 0.6 për qind. Ndërsa, rënie kishte në bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim me 10.6 për qind dhe furnizim me energji elektrike dhe me gaz me 3.4 për qind”, vijon raporti.
Lidhur me komponentët e Produktit të Brendshëm Bruto, importi i shërbimeve për këtë vit kishte rritje reale prej 22.5 për qind, kurse eksporti i mallrave ra me 2 për qind.
“Rritja reale sipas komponentëve kryesorë të Produktit të Brendshëm Bruto me qasjen e shpenzimeve për vitin 2018 ishte te importi i shërbimeve me 22.5 për qind, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 8.9 për qind, importi i mallrave me 6.5 për qind, formimi i bruto kapitalit fiks me 6.1 për qind, eksporti i shërbimeve me 5.5 për qind, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake me 4.8 për qind, shpenzimet e konsumit final të IJPSHESH me 4 për qind. Kurse, rënie kishte te eksporti i mallrave me 2 për qind”, përfundon raporti.