Viti 2020 ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të vrasjeve si pasojë e dhunës në familje.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2019, ishin regjistruar shtatë raste të vrasjeve si pasojë e dhunës në familje. 4 raste ishin kur burri kishte vrarë gruan, e në njërin rast burri pos që e kishte vrarë gruan e kishte vrarë edhe nusen e djalit. Një rast ishte kur vëllai e kishte vrarë vëllain, e një tjetër kur nëna e kishte vrarë foshnjën.
Më 2020, saktësisht deri në fund të nëntorit janë regjistruar nëntë raste të vrasjeve si pasojë e dhunës në familje. Në një rast, burri e ka vrarë gruan, në një tjetër vëllai – vëllain, në një rast djali e ka vrarë nënën, në një tjetër, djali e ka vrarë babanë. Po ashtu, në një rast djali i ka vrarë dy prindërit, në një vajza e ka vrarë babanë, nënën e dy vëllezërit, në një rast nipi e ka vrarë burrin e hallës, në një rast djali i tezës e ka vrarë djalin e tezës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se këtu nuk janë përfshirë statistikat e muajit dhjetor, pasi rastet janë ende duke u hetuar.
Në dhjetor kanë ndodhur dy raste të vrasjeve në familje në Prizren. Në një rast një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka vrarë vajzën, e më pas veten. Në një tjetër, i biri e ka vrarë me thikë babanë. E mbrëmë, në tragjedinë në Pozharan të Vitisë, në një familje që kishte ardhur për pushime nga Zvicra, burri kishte vrarë gruan, dy djemtë e më pas veten.
“Dhuna në familje është një fenomen mbarëbotëror, e cila mund të haset në çdo komunitet dhe kudo në botë, dhe si e tillë prek gjithë shoqërinë njerëzore, në të gjitha nivelet dhe shtresat e saj. Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflekton qasjen proaktive në fushën e parandalimit dhe sensibilizimit të shoqërisë. Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e PK-së, bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë dhe sensibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve. Andaj referuar rasteve të ngritura si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave që gjendemi në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt”, thuhet nga Policia e Kosovës.