Rrjetet kriminale ia shohin hairin pandemisë

Prishtinë | 08 Sht 2020 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

“Ofertë promovuese!” – është reklamë që bie në sy në faqen e një dyqani skocez në “WhatsApp”. Aty ju ofrohet ulje e konsiderueshme nëse ia dilni që të njëjtin produkt t’ua referoni së paku edhe pesë personave. Por nëse ia dilni të ofroni edhe më shumë myshterinj, çmimi do t’ju ulet edhe më shumë. Kjo është vetëm një prej shenjave që kujton se kjo vjen si pasojë e krizës ekonomike të ardhur si rrjedhojë e masave të mbylljes së ekonomisë në shumë vende për të parandaluar përhapjen e virusit. Kjo ishte vetëm një prej qindra ofertave që ofrohen në ditë në rrjete sociale, por në fakt nëse do të hallakatni pak më shumë, atëherë e kuptoni se ofertuesi në fakt po shiste substanca narkotike, si kokaina, ketamina ose MDMA-ja.

Platformat sociale janë kthyer në tezga për dilerët e drogës në Glasgou, duke përshtatur metodat dhe format e reklamimit. Kjo tashmë është kthyer në strategji për të arritur më lehtë te blerësit e mundshëm. Përderisa industritë e rëndësishme kanë pësuar rënie të madhe si pasojë e koronavirusit, ngritje ka shënuar edhe industria ilegale e alkoolit, bëhet e ditur në një analizë të revistës “Foreign Policy”.

Grupet tejkufitare të krimit të organizuar, e kanë parë krizën si një mundësi të artë për t’i shtrirë ndikimin dhe shitjen. Të dhënat e fundit tregojnë se krimi i organizuar mbulon shtatë për qind të bruto prodhimit të brendshëm botëror. Dhe trafikantët po kujdesen që në kohën kur nuk ka mundësi për takime sy më sy, t’u ofrohen njerëzve nëpërmjet ofertave të ndryshme virtuale. Dhe kjo po ndodh nga Meksika deri në Afrikën Jugore. Kartelet e drogës po përdorin COVID-19 për të konsoliduar dhe rritur bizneset e tyre. Ata njëherësh po diversifikojnë aktivitetet dhe po eliminojnë konkurrencën në proces.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme