Analisti Rron Gjinovci është ankuar për tarifat e reja të energjisë elektrike, të miratuara nga Qeveria e Kosovës. Ai tha se për gjysmë dite në banesë, ai paguan 80 euro rrymë në muaj.
Me tarifat e reja, ai thotë se nga muaji i ardhshëm do të paguajë 160 euro, ani pse jeton vetëm.
“Jetoj vet. Shkoj në banesë pas orës 18:00. Rrallë shoh tv, rrallë përgatis ushqim me shporet. I laj teshat me maqinë, enët aq sa bohën, e laj veten çdo mëngjes. Nxehna me rrymë, s’ekziston mundësi tjetër. Rryma më vjen rreth 80 Euro në këtë periudhë të vitit. Me gjuhë të ZRrE-së, për me jetu me gjysë orari n’banesë i harxhoj përmbi 1000 KWh në muj. Pra nga muji i ardhshëm ko me pagu 160 Euro, për me jetu vet me gjysë orari në banesë”, ka shkruar ai në Facebook.
Gjinovci thotë se ai mund ta paguajë këtë çmim, por pyet se çfarë do të bëjnë familjen ku ka edhe fëmijë dhe që duhet të ngrohen me rrymë.
“Unë muj me pagu, por çka bojnë njerzit që jetojnë në ni banesë si unë, që duhen me u nxe me rrymë, ama që kanë fmi e duhen me e nxe ton ditën ambientin e tyne. Paga mesatare në Kosovë 380 Euro. 40-50% të kësaj page duhen për me e pagu rrymën ashtu që KEDS-i me pasë profit”, shkruan ai.