Me 13 lakesa të mprehta, Lakorja Derebaşı vende-vende thuhet të jetë madje më e rrezikshme se e ashtuquajtura “rruga e vdekjes” në Bolivi, duke shkaktuar vështirësi për ngasësit e automjeteve.
Një rrugë malore mes provincave Trabzon dhe Bayburt në verilindje të Turqisë, e cila është cilësuar si “rruga më e rrezikshme në botë”, do të jetë atraksion turistik për të apasionuarit pas natyrës, raporton AA.
E zgjedhur para tri viteve si “rruga më e rrezikshme në botë” nga faqja e internetit www.dangerousroads.org e cila bën promovimin e rrugëve të rrezikshme dhe të vështira në botë, Lakorja Derebaşı lidh provincat Trabzon dhe Bayburt përmes Malit Soğanlı, distancën më të shkurtër mes tyre, në lartësi prej 3.500 metrash.
Me 13 lakesa të mprehta, Lakorja Derebaşı vende-vende thuhet të jetë madje më e rrezikshme se e ashtuquajtura “rruga e vdekjes” në Bolivi, duke shkaktuar vështirësi për ngasësit e automjeteve.
Rruga në fjalë për herë të parë është ndërtuar gjatë pushtimit rus në vitin 1914 me angazhimin në punë të popullatës vendase.
Për shkak se ndodhet në rajonin e Detit të Zi, Lakorja Derebaşı karakterizohet me prani të shpeshtë të mjegullës, reshjeve, rrëshqitjes së dheu dhe borës.
Për shkak të reshjeve të borës, transporti në këtë rrugë ndërpritet për gjashtë muaj të vitit.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), drejtori provincial i Kulturës dhe Turizmit, Ali Ayvazoğlu, tha se Lakorja Derebaşı në çdo periudhë shkakton vështirësi për ngasësit e automjeteve.
“Rruga këtu ka hyrë në listën e rrugëve të vështira në botë. Udhëtimi në këtë rajon shkakton një adrenalinë të veçantë”, theksoi Ayvazoğlu.
“Me rrjedhat, natyrën e gjelbër dhe ajrin e pastër, ata që udhëtojnë në këtë rrugë përballen me peizazh që nuk ngopesh duke e shikuar. Për këtë arsye, ne jemi duke punuar që rajoni të jetë pjesë e turizmit. Ne duam që vizitorët vendas dhe të huaj të njihen me atraktivitetin e rrugës së rrezikshme”, shtoi Ayvazoğlu.
Duke folur për aktivitetet turistike në rajon, ai tha se planifikojnë të organizojnë gara në ‘off-road’ dhe alpinizëm.
“Qëllimi ynë është të ofrojmë mundësi edhe për aktivitetet e turizmit alternativ në rajonin tonë të njohur me bukuritë natyrore. Mendoj se ky rajon, i cili gjendet në itinerarin e rrugës që shpie në Uzungöl, që njihet botërisht, në të ardhmen do të ketë një pozitë të rëndësishme”, përfundoi Ayvazoğlu.