Rruga e cila do të lidhë Podgoricën me Plavë-Guci, për gjatë luginës së lumit Cem, ende mbetet vetëm premtim parazgjedhor i PDS-së, me partnerët e koalicionit, të cilët gjatë çdo fushatë parazgjedhore e premtojnë ndërtimin e kësaj rruge, por ende as një hap në këtë drejtim nuk e kanë bërë, transmeton Malësia.
Dihet se është e planifikuar qe kjo rrugë të ndërtohet bashkërisht nga dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Malit të Zi, ku është ndërtuar edhe pika e re e kalimit të përbashkët kufitar.
Qeveria e Shqipërisë tash tre vjet e ka përfunduar rrugën deri në kufi me Malin e Zi, në Cem të Trieshit, mirëpo Qeveria e Malit të Zi, edhe pse premton ndërtimin e saj, gjatë gjithë kohës, as tenderin për ndërtimin e kësaj rrugë e cila do ishte shumë domethënëse për banorët e Plavës dhe Gucisë e sidomos për lidhjen e shqiptarëve të asaj krahinë me Tuzin dhe trevat tjera shqiptare, nuk e ka shpallur.
Lidhur me ndërtimin e kësaj rrugë hapësirë në emisionin e vet ka dhënë edhe TV “Vijesti” i Podgoricës.
Në portalin e këtij Televzionit thuhet se nga Podgorica, deri në Guci zakonisht shkohet përmes bjeshkëve, pastaj Beranës, Andrijevicës dhe Plavës, ku të gjitha së bashku përbëjnë rreth dyqind kilometra.
Që tre vite ekziston një rrugë më e shkurtër, nëpërmjet Hanit të Hotit, dhe përmes Shqipërisë, rreth 88 kilometra.
Rruga më e shkurtër do të ishte nëpërmes luginës së Cemit, përgjatë Shqipërisë, me vetëm 60 kilometra.
Sipas këtij Televizionit, vitet kalojnë por ndërtimi i rrugës së premtuar nuk bëhet, e kjo u dhemb banorëve të kanionit të Cemit, të cilët gjenden 22 kilometra nga Podgorica.
“Që nga viti 2014, është premtuar se do të përfundohet projekti Podgoricë-Guci, deri në fund të vitit 2014, 2015 se do të shpallet tenderi për zgjerimin e kësaj rrugë, por nga ky premtim nuk ka asgjë. Siç duket kjo nuk i intereson shtetit dhe unë nuk e di pse”, deklaroi Rrok Lulgjuraj.
Dihet se me donacionin e Bashkimit Evropian, në 30 kilometra larg nga Podgorica, tashmë është ndërtuar një pikë e kalimit kufitar, i cili ende është duke pritur kalimtarët e parë.
Banorët nga Gucia nuk mund të besojnë që 15 vite të presin në lidhje më të mirë me Podgoricën.
“Gjithçka filloi përafërsisht kur zoti Vujanoviq po kandidonte për mandatin e parë presidencial, dhe përfundoi karrierën e tij presidenciale, duke shpenzuar të drejtën për të gjitha mandatet dhe rruga ende nuk është valorizuar. Ndihem keq sepse u kam besuar dhe kam mbështetur njerzit që thoshin se rruga do të jetë dhe se kjo do të jetë faktor i zhvillimit “, deklaroi Rusmin Llalliçiq.
Ka mbetur të ndërtohen 10-15 kilometra nga Dinosha në pikën e re të kalimit kufitar, domethënë, që rruga ekzistuese pranë luginës së lumit Cem që është e ngushtë të zgjerohet dhe të arnohet.
Megjithatë, nga Ministria e Transportit, siç kumtojnë në Televizioni “Vijesti”, nuk fituan përgjigje se kur, më në fund do të fillojnë punimet, e as sa do të kushtojë ndërtimi i saj.
Lidhur me këtë ka reaguar me një status në profilin personal në FB edhe Kryetari i Këshillit Komunal të Malësisë i LDSH-së, Ivan Ivanaj.
“Pse nuk përfundohet rruga Dinosh-Cem i Trieshit-Guci ? Përgjigja është e thjeshte, në krejt këto treva jetojnë vetëm shqiptar ! Kjo rrugë jo vetëm se ka rëndësi të madhe për zhvillimin e turizmit dhe valorizimin e resurseve natyrore shqiptare andej e këndej kufirit, por është edhe arterie që lidhë Malësinë me vëllezërit e vet në Plavë e Guci”, deklaroi Ivanaj.
Siç dihet, banorët e Cemit, historikisht 90 për qind votojnë vetëm partitë politike shqiptare, e njëjtë ashtu veprojnë edhe banorët shqiptarë të Gucisë, prandaj siç duket ky është edhe problem kyç i Qeverisë së Malit të Zi, e cila vite të tëra është duke stagnuar me ndërtimin e kësaj rrugë.