Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota. Kështu, të paktën parashihet me fillimin e transformimit të saj përmes tri ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë ka filluar një transformimi i rregullt i FSK-së.
“Tranzicioni i Forcës së Sigurisë është i paraparë që të zgjasë 10 vjet. Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë. I tërë procesi është i paraparë në tri faza, faza e para 7 plus 3. Faze e dytë është 3 deri në 6 dhe e treta është 7 deri në 10 vjet. Ky është një proces që është hartuar edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me ekspertët e tyre, me ekspertët tanë dhe mendoj se ky proces do të jetë transparent edhe me shtete mike dhe partnerët”, tha ministri Berisha.
Procesi i transformimit, pritet të kalojë përmes zbatimit të tri ligjeve tashmë të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ku bëjnë pjesë, Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.