Rryma e shpenzuar nga serbët në veri në vitin 2022, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës plotë 63.2 milionë euro.
Lajmin e kanë bërë me dije nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).
Sipas këtij operatori, në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.
“Obligimet financiare të KOSTT për humbjet e shkaktuara në pjesën veriore të vendit për muajt janar- dhjetor 2022 ishin rreth 63.2 milionë euro. Në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale”, është thënë në përgjigjen e KOSTT.
Ndërsa brenda muajit të parë të vitit 2023, sipas KOSTT-it, humbjet nga mospagesa e rrymës në atë pjesë të Republikës së Kosovës janë 4.5 milionë euro
“Vlera e humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës vetëm për periudhën janar 2023, llogaritet të jetë afër 4.5milionë euro”, kanë bërë me dije nga KOSTT-i
“Front Online” ka pyetur sa i përket shtrenjtimit të tarifave të energjisë, në përgjigjen e tyre thuhet se do të bëhet në bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
“Për të përmbushur përgjegjësitë për krijimin e kushteve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe operimin e sigurt dhe të besueshëm të sistemit të transmetimit përveç tjerash, KOSTT sikurse të gjitha kompanitë e tjera të rregulluara të sektorit të energjisë siguron operimin nga të hyrat e lejuara maksimale sipas aprovimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, prandaj është i domosdoshëm reflektimi i të gjitha kostove në të hyrat e lejuara. Kostot e operimit të sistemit të transmetimit e përbejnë vetëm një pjesë të vogël të kostos totale e cila bartet tek konsumatori”, është thënë në përgjigjen e KOSTT-it.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordim për zbatimin për marrëveshjen e energjisë të vitit 2013.
Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri.