RTK-ja i del në mbrojtje Klan Kosovës

Prishtinë | 16 Qer 2023 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës i ka dal në përkrahje televizionit kombëtar Klan Kosova.

Në një reagim për media të premten, Bordi i RTK-së ka kërkuar nga institucionet që të respektohen procedurat ligjore dhe e drejta e ankimimit në rastin e procedurave administrative të ndërmarra ndaj Klan Kosovës.

“Bordi i RTK-së ka ndjekur me kujdes zhvillimet e fundit në lidhje me rastin e Klan Kosovës dhe dëshiron të shprehë qëndrimin e tij. Ju bëjmë thirrje institucioneve që të respektojnë procedurat dhe të drejtën e ankimimit, duke u angazhuar për të sqaruar situatën ligjore dhe administrative dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme në përputhje me procedurat dhe legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë”, ka thënë Bordi i transmetuesit publik.

Po ashtu, Bordi i RTK-së u ka bërë thirrje anëtarëve të KPM-së që të mos ndërmarrin vendim lidhur me licencën e telvizionit Klan Kosova, derisa të përfundojë procesi ankimor lidhur me vendimin e MINT-it.

“Po kështu bordi inkurajon KPM-në të pres përfundimin e procesit ankimor në organet përgjegjëse”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.

Gjithashtu, në komunikatën e Bordit të RTK-së thuhet se bordi inkurajon punonjësit e Klan Kosovës që të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim, “duke mbajtur parasysh misionin e tyre në informimin e publikut në mënyrë objektive dhe profesionale”.

Të ngjashme