Votimi i raportit financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën korrik-shtator 2021, është shtyrë që të votohen për në javën e radhës, në mungesë kuorumit në Komisionin për Buxhet, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, gjatë raportimit në Komision, potencoi se përgjatë muajve korrik-shtator janë në plus me 100 mijë euro.
Ndërsa për borxhin në Telekom, i cili ka qenë mbi 200 mijë euro, Kastrati ka thënë se e kanë shlyer me marketing.
“Në këtë tre mujor jemi me 100 mijë euro plus, dhe defi në fund ta vitit do të ketë edhe ulje të borxhit. E kemi pasur një kontratë me Telekomin që kemi marr shërbime prej tyre në virin 2019 dhe aty ka qenë një borxh 200 e diçka mijë euro, dhe aty e kemi kthyer me marketing”.
Ai tha se kanë ngritur çështje përmbarimore edhe ndaj subjektit Nisma për shkak të mospagesës së marketingut.
E përveç Nismës, ai ka përmendur edhe një lëndë ndaj Klan Kosovës, për mos pagesë së veturës me kamera.
“Me sa e di unë kjo është një lëndë më e vjetër për shkak të përdorimit të asaj veturës sonë me kamera dhe mos pagesës”.
Përderisa në vend të KRU “Pastrimi”, Radio Televizioni i Kosovës i pagoi për rreth 5 vjet, mbi 472 mijë euro kompanisë “Pastimi”.“Pastimi”, nuk ishte KRU “Pastrimi”, i mungonte në emërtim shkronja “R”.
Kastrati ka thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një punëtor i RTK-së i cili tashmë është dënuar për veprimin.
“Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, ‘Pastimi’, pa ‘R’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 472 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar, por ne jemi dëmtuar”.
Kryesuesi i Komisionit, Armend Muja, ka pyetur Kastratin për borxhet, duke përfshirë Telekomin dhe kompaninë e pastrimit.
“Cilat mendoni, se janë institucionet kyçe, që keni filluar me shlyer borxhet, po me Telekomin çka ka ndodhë, pse nuk është shlyer borxhi ndaj kompanisë së pastrimit”.
Në Komision kanë raportuar edhe Komisioni i Pavarur për Medie, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i KPM-së, Xhevat Latifi gjatë raportimit ka thënë se kanw planifikuar të realizojë të hyra në vlerë prej 263 mijë euro.
“Në periudhën janar-dhjetor 2020 ka shpenzuar 517 mijë euro, 383 mijë euro për rroga. KPM ka planifikuar të realizoj të hyra prej 263 mijë euro”.
Ndërsa, kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se raportimet e tjera do të shtyhen për një datë tjetër.