Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), ka shënuar 73-vjetorin e themelimit, raporton Ekonomia Online. Ish-punëtorët përsëri nuk pritën këtë përvjetor në objektin ku punuan.
Ish-punëtorët vazhdimisht kishin kërkuar kthimin në vendet e tyre të punës, përderisa në shtator të vitit 1999, Radio Televizioni i Kosovës ka filluar transmetimin në objektet e RTP-së.
Ish-drejtori i produksionit në RTP, tash kryetar i Këshillit Grevist, Qemal Sokoli, tha se ata vazhdojnë të jenë në grevë për t’i kërkuar të drejtat e tyre. Ai bëri të ditur se shumë shpejtë pritet që edhe institucionet gjyqësore të japin fjalën e tyre.
“Që nga viti 2000 jemi në proces gjyqësor, jemi në kontakt edhe me arbitrazhin. Jemi në seanca gjyqësore. Kemi ardhur gati në përfundim. Epilogun do ta dimë sivjet sepse seanca e fundit pritet të mbahet në mars. Prona jonë është e patjetërsueshme. Po shpresojmë në zgjidhje fatlume për punëtorët. Avokati jonë, i cili është italian na ka premtuar që do t’i fitojmë të drejtat tona”.
“Përderisa nuk pranohen kërkesat tona, ne do të vazhdojmë të jemi në grevë. Kjo është grevë moderne, jo grevë klasike. Kemi argumente me dënga që prona është e jona. Kuvendi dhe RTK disa herë kanë tentuar të na marrin pronën. Po të mos kishim qenë ne nuk do të ishte as greva e minatorëve”.
Enver Maloku, ish-redaktor i RTP-së, tha se prona nuk duhet të shfrytëzohet nga dikush tjetër.
“Ligjin për RTK-në nuk kanë mundur ta miratojnë për shkak se nuk lejohen nga AKP-ja. Prona i ka takuar RTP-së, RTK nuk është trashëgimtare e pronës së RTP-së”.
RTP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990.
Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945-në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë.
Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit Kosovës.