Shërbimet e kardiologjisë janë duke punuar me kapacitete të limituara të stafit. Kjo pasi shumica e kardiologëve nuk janë në vendin e tyre të punës nga e hëna.
Disa prej tyre po marrin pjesë në Kongresin Evropian të kardiologjisë në Itali, në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional. Të tjerët janë në pushime, bën të ditur KTV.
Punëtorët shëndetësorë që aktualisht janë në këtë klinikë dhe vetë pacientët, të cilët nuk duan të prononcohen, pranojnë se mungesa e stafit vërehet.
Por drejtues të SHSKUK-së, të cilët përmes një shkrese që e ka parë televizioni, kanë miratuar udhëtimin e shumicës së kardiologëve, thonë se nuk kanë ankesa nga pacientët.
KTV-ja ka mësuar se kostoja e udhëtimit për pjesëmarrje në këtë kongres kap vlerën prej rreth 600 eurosh. Ky institucion nuk i është përgjigjur televizionit se kush i ka mbuluar këto shpenzime, pavarësisht interesimit. Brenda QKUK-së bëjnë me dije se në shumë udhëtime të tilla, shpenzimet mbulohen nga kompani të ndryshme farmaceutike.