Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë se kanë nevojë urgjente për mjete mbrojtëse nga Ministria e Shëndetësisë. Ai ka thënë se deri më tani sasia furnizuese e Ministrisë e Shëndetësisë për këtë komunë është qesharake. Rudari ka thënë se komuna e Podujevës ka shpenzuar 42 mijë euro për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për tu përballur me Coronvirusin.
Në Podujevë deri më tani janë shënuar tri raste pozitive me Coronavirus.
Ushtruesi I detyrës së Kryetari të Podujevës ka thënë se gjendja e të infektuarve është stabile dhe deri më tani 4 fshatra janë në karantinë.
“Deri më tani janë tri raste të izolume, 2 në dumnicë në karantinë dhe një në Bradash në izolim. Gjendja është stabile. Dumnica e Epërme, Dumnica e Poshtme, Llausha e epërme dhe e poshtme janë në karantinë”, ka thënë Rudari.
Ai ka thënë se kanë bërë vazhdimisht kërkesa për mjete mbrojtëse për stafin mjekësor, por furnizimi nga MSH është qesharake.
“Vazhdimisht kemi bërë kërkesa. Sasia që e kanë pru është qesharake, por ne si komunë kemi blerë materiale vetë”, ka thënë ai.
Sipas Rudarit, Komuna e Podujevës deri më tani ka shpenzuar 42 mijë euro për blerjen e mjeteve mbrojtëse.
“Kemi shpenzu rreth 42 mijë euro në blerjen e mjeteve mbrojtëse si komunë, ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë ka ardhur vetëm një kontigjent I vogël”, ka thënë Rudari.
Ai ka thënë tutje se pjesa dërmuese e qytetarëve janë duke i respektuar rregullat e karantinës.
“Mbi 90 për qind janë duke I respektuar rregullat e karantimit”, ka thënë Rudari,
Ai ka bërë apel Ministrisë së Shëndetësisë që urgjentisht të dërgojnë mjete mbrojtëse dhe barna për personelin mjekësor.
“Duhet sa më shpejt me dërgu mjete mbrojtëse dhe barna për personelin mjekësor. Barnatoret janë të pafurnizuara, me doreza maska, kurse dezinfektues nuk gjenden as me u ble”, ka thënë ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Podujevës.
Deri tash në Kosovë janë prekur 24 persona me koronavirus. Së pari është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.
Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.
Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.
Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.
Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.
Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.
“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Twitter.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. “Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social./GazetaExpress/