Rufki Suma: Sharrcemi po rrezikon jetën e qytetarëve të Hanit të Elezit

Prishtinë | 07 Kor 2019 | 08:22 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, po thotë se ndotësi më i madh në këtë komunë vazhdon të mbetet fabrika e çimentos Sharrcem, pluhuri i së cilës është shumë i dëmshëm për jetën e qytetarëve.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se ndotja nuk është e atij niveli që ishte para luftës, por megjithatë ndotja është e pranishme.

“Sharcem ka qenë ndotësi kryesor në Han të Elezit dhe besojmë që është për shkak që nuk kemi fabrika tjera, megjithatë nuk është ajo ndotje që ka qenë para lufte për shkak se pas luftës janë vendosur filtra, rrallë ndonjëherë mund të shohësh pluhur nga oxhaqet. Megjithatë ka ndotje për shkak se janë duke u përdorur disa materiale, gurë të tjerë që i mbajnë në ambiente të hapura dhe atë zakonisht gjatë punimeve kur ngarkohet dhe shkarkohet krijojnë ndotje të ambientit që është shumë i dëmshëm edhe për jetën e qytetarëve”, tha ai.

Duke folur për problemet në infrastrukturë, Suma tha se pas nënshkrimit të një marrëveshje mirëkuptimi me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, këtë vit pritet edhe ndërtimi i një mbikalimi të Dheu i Bardhë me fshatin Paldenicë.

“Ka qenë një problem për qytetarët për shkak se kur është ndërtuar autostrada është ndërprerë një segment i rrugës Dheu i Bardhë-Paldenicë dhe fillimisht Ministria e Infrastrukturës është deklaruar se do të bënë qasje qoftë nënkalim apo mbikalim dhe deri në momentin kur është bë përurimi i autostradës nuk është rregulluar kjo dhe për këtë arsye qytetarët kanë protestuar me plotë të drejtë ku edhe unë kam qenë mbështetës i tyre. Mirëpo pak para përurimit është nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi mes meje si kryetar dhe ministrit Pal Lekaj, ku është garantuar se të gjitha ato probleme do të rregullohen tani. Do të bëhet një mbikalim në atë rrugë dhe do të riparohen të gjitha ato dëme që janë shkaktuar nga punimet e Bechtel Encas. Ende nuk ka filluar ky projekt mirëpo thuhet se gjatë këtij viti duhet të përfundojë”, tha ai për Ekonomia Online.

Suma tha se ka pasur bashkëpunime të mira me të gjitha qeveritë e kaluara dhe me këtë aktuale, por megjithatë nuk ka pasur ndonjë projekt madhor.

“Me të gjitha qeveritë ne kemi pasur raporte të mira, nuk mund ta përjashtojë asnjë Qeveri, qoftë kur kanë qenë në udhëheqje LDK-ja, PDK-ja dhe tani AAK-ja, unë kam raporte edhe shoqërore me të gjithë ministrat, punëtorët që udhëheqin me ministritë. Kemi pasë donacione qoftë nga institucionet e vendit, por edhe nga ato ndërkombëtare, mirëpo nuk mund ta veçojë asnjë nga qeveritë për të thënë se ka bë ndonjë projekt madhor, edhe pse tani kemi të nënshkruara disa marrëveshje me ministrinë e Infrastrukturës për rregullimin e rrugës Dërmjak- Neqafc që kap një shumë më tepër se 400 e 50 mijë euro”, tha ai.

Duke folur për projektet, Suma tha se këtë vit pritet edhe ndërtimi i një shtëpie të kulturës, mbështetjen për të cilën e ka marrë nga MKRS-ja.

“ Kemi nënshkruar edhe marrëveshje me ministrin e MKS-së për përurimin e fushës sportive dhe për financimin e një shtëpie të kulturës që do të kushtojë, me siguri më shumë se 700-800 mijë euro. MKRS-ja është zotuar se për vitin 2019 do të participojë me 250 mijë euro”, tha ai për Ekonomia Online.

Suma tha se gjithmonë ka qenë iniciativa e qytetarëve ajo që e ka shtyer të kandidojë për kryetar të kësaj komune.

“Asnjëherë nuk ka qenë iniciativë e imja që të kandidojë, ka qenë kërkesë  e qytetarëve, ku me kërkesën e tyre unë kam vendosur që të realizojë të gjitha ato kërkesa, t’i plotësojë kërkesat e qytetarëve me aq sa kam pasur mundësi. Asnjëherë nuk ka qenë iniciativë e imja që unë drejtpërdrejtë të kandidojë, por ka qenë kërkesë e tyre, kam respektuar mirëpo po të pyetsha me siguri nuk do të kisha nevojë të kandidoj, mirëpo ma mirë njeriu ta ketë një biznes ku përfiton më shumë për familje se sa kryetar komune,sepse kryetarit të komunës i kufizohen të gjitha veprimet e tjera”, tha ai.

Të ngjashme