Drejtuesit e Lidhjes Demokratike e Kosovës(LDK) shprehen të gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në vend, nëse partneri i madh i koalicionit (PDK) insiston për një gjë të tillë.
Ditë më parë kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç ka thënë ai, nëse partitë politike në pozitë dhe opozitë dakordohen. “Organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk është fundi i botës, në qoftë se vlerësohet që është në të mirë të vendit”, ka deklaruar Veseli.
Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, thotë për gazetën “Zëri” se koalicioni qeverisës mes këtyre dy partive është duke funksionuar mirë dhe pa probleme. Porse, siç thotë ai, në qoftë se duhet të shkohet në zgjedhje edhe mund të shkojnë.
“Nëse duhet të shkojmë në zgjedhje, shkojmë, nuk është problem. Por, marrëveshjet nuk mund të prishen ashtu. Ato mund të diskutohen, por nuk besoj që koalicioni ka problem. Janë deklarata që kohë pas kohe jepen, edhe Kadri Veseli apo cilido prej nesh lëshon deklarata të tilla”, ka thënë Rugova, i cili thotë se nuk është tradhti nga partneri i koalicionit edhe nëse e prishin marrëveshjen për bashkëqeverisje me PDK-në.
“Kur bëhet marrëveshja, njëherë ulen dhe bëjnë marrëveshje, edhe për t’u prishur prapë ulen dhe diskutojnë për t’u prishur. E kemi bërë, e prishim, ulemi e prishim, nuk ka problem. Por, nuk ka as tradhti këtu, as pabesi, ka interesa të caktuara. Por koalicioni po funksionon, qeveria funksionon, çdo gjë është duke funksionuar”, ka theksuar ai.