Lidhja Demokratike e Kosovës përmes kryesisë mbrëmë vendosi që shef i Grupit Parlamentar të saj në Kuvendin e Kosovës të jetë Avdullah Hoti. Nga kjo mbledhje, partia e dytë më e madhe në vend vendosi edhe një herë që të mos bashkëpunojë në asnjë formë me koalicionin PAN.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova në një bisedë për Gazetën Observer ka thënë se, zgjedhja e Avdullah Hotit në krye të deputetëve të LDK-së nuk ka ndonjë lidhje me të ardhmen e partisë sa i përket koalicionit të mundshëm me Vetëvendosjen.
“Nuk besoj që kjo ka lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm. Ne mbajmë të drejtën për me caktu shefin e Grupit Parlamentar, dhe varësisht prej situatave ai mund të ndërrohet”, tha Rugova.
Ai ka thënë se deri më tani një gjë është e sigurtë, që nuk do të ketë koalicion me PAN-in, ndërsa bashkëpunimi me LVV nuk është diskutuar.
“Vendimi i qartë i LDK-së është që nuk do të shkojë në koalicion me PAN-in. Për momentin nuk është duke u diskutuar bashkëpunimi me Vetëvendosjen, këto gjëra bëhen hap pas hapi. Ky është hapi i parë, jo bashkëpunim me PAN-in”, deklaroi Rugova.
Nënkryetari i LDK-së ka lënë të kuptohet që partia e Isa Mustafës do të qëndroj në opozitë, sepse sipas tij këtë e deshën të gjitha partitë e tjera.
“Realisht, ata që u bashkuan që të rrëzojnë Qeverinë dhe kryeministrin Mustafa, le ta bëjnë Qeverinë vet. Neve na qitën në opozitë, me një fjalë, të gjitha partitë”, theksoi Rugova.
I pyetur rreth mundësisë për ta votuar ndonjë deputet i LDK-së Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, Rugova thotë se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë. Ai tha se qëndrimi politik i LDK-së është të mos votohet Kadri Veseli, ndërsa nëse ndodh e kundërta, do ta diskutojnë brenda partisë këtë çështje për të marrë masa ndaj atyre deputetëve.
“Kjo është një temë që mund të diskutohet pastaj, është çështje e tyre. Qëndrimi politik i LDK-së është që të mos votohet Kadri Veseli. Unë dua të besoj që askush nga LDK nuk do ta votoj Kadri Veselin për kryeparlamentar”, ka përfunduar Haki Rugova.
Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër në ora 10:00. Deri më tani, votimin e Kadri Veselit nga PAN për krye parlamentar e kanë kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA.