Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit publikoi një video duke iu drejtuar qytetarëve për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje, duke fajësuar opozitën për situatën politike.
Në reagimin e tij, Rukiqi ka kritikuar qasjen e Kurtit ndaj qeverisjes dhe mënyrën e adresimit të krizës politike.
“Kryeministër, Republika dhe aftësia për të qeverisur nuk është matematikë e përqindjeve. Edhe 51% me i pasë, prapë s’po din me qeveris. Kjo s’është punë numrash, por punë zotësie”, ka shkruar Rukiqi.
Ai ka shtuar se, sipas tij, mungesa e rezultateve po mbulohet me fajësimin e të tjerëve.
“Kur nuk din me i bo punët, ma lehtë është me i fajësu të tjerët. Këtë e ka bërë zanat”, ka theksuar ai.
Rukiqi ka vlerësuar se koncentrimi i pushtetit në një parti nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit.
“Nuk është kjo Republikë për me i pasë krejt pushtetet një parti. Kështu s’funksionon ky shtet”, është shprehur ai.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit për bashkëpunim dhe gatishmëri për marrëveshje politike.
“Nëse s’din me punu me tjerë dhe me qenë i gatshëm për marrëveshje, mos e lyp fajin tjetërkund”, ka shtuar Rukiqi.