Rukiqi: Qeveria nuk ka shtuar asnjë megavat të vetëm, Kosova ka nevojë për më shumë prodhim vendor dhe siguri energjetike

Prishtinë | 30 Maj 2026 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka reaguar lidhur me politikat energjetike në vend, duke thënë se angazhimi i tij shumëvjeçar në këtë sektor ka qenë i fokusuar në rritjen e prodhimit vendor të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës.

Rukiqi ka deklaruar se, ndryshe nga përfaqësuesit e qeverisë, ai është angazhuar konkretisht në zhvillimin e projekteve energjetike.

“Po, unë merrem me energji. Por me një dallim të madh prej teje: unë angazhohem për prodhimin e energjisë në Kosovë, ndërsa ti nuk ke arritur të shtosh as edhe 1 megavat të vetëm”, ka shkruar ai.

Sipas tij, prej vitesh është i përfshirë në zhvillimin dhe promovimin e projekteve të energjisë solare me kapacitete që variojnë nga 4 MW deri në mbi 100 MW.

“Po, prej vitesh po zhvilloj dhe promovoj projekte të energjisë solare, nga 4 MW deri në mbi 100 MW kapacitet (parqe solare)”, ka theksuar Rukiqi.

Ai ka rikujtuar gjithashtu angazhimin e tij publik që nga viti 2020 për sjelljen e Gazit të Lëngshëm Amerikan (LNG) në Kosovë, duke e cilësuar atë si një mundësi strategjike për vendin.

“Që nga viti 2020 jam angazhuar publikisht për ta sjellë Gazin e Lëngshëm Amerikan (LNG) në Kosovë, një mundësi strategjike që ju e refuzuat me arsye banale”, ka deklaruar ai.

Rukiqi ka thënë se i gjithë angazhimi i tij në sektorin e energjisë synon rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, zgjerimin e energjisë së gjelbër dhe uljen e varësisë nga importi.

“I gjithë angazhimi im në sektorin e energjisë ka vetëm një qëllim: më shumë prodhim vendor, më shumë energji e gjelbër, më shumë siguri energjetike dhe më pak varësi nga importi”, ka shkruar ai.

Në fund, ai ka shtuar se çdo kapacitet i ri prodhues në Kosovë ndikon në zvogëlimin e varësisë nga tregjet e jashtme të energjisë.

“Sepse çdo megavat i prodhuar në Kosovë është më pak para për Hamoviqin e monopolistët e tjerë të mafisë energjetike”, ka përfunduar Rukiqi.

Të ngjashme