Shumë shpejt pritet të hapet gara për të drejtuar Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), e kësaj gare pritet t’i hyjë edhe Berat Rukiqi, i cili është aktualisht këshilltar në OEK, derisa si pjesë e saj është për më shumë se dhjetë vite.
Por nëse e merr drejtimin e OEK-ut ai ka thënë se do të punojë që sektori privat të jetë motor i zhvillimit ekonomik, e jo sektori publik.
Rukiqi ka thënë se zyrtarisht ende nuk është hapur gara, por ai do të jetë njëri ndër kandidatët për të drejtuar këtë institucion i cili i mbron interesat e bizneseve.
“Si kandidat potencial është proces i natyrshëm pas 11 viteve në Odën Ekonomike të Kosovës, ku jam zhvillu dhe jam rrit profesionalisht, po ashtu kam mësuar edhe prej anëve pozitive, por edhe prej gjerave që nuk kanë funksionuar”, tha ai.
Rukiqi ka thënë se OEK-u ka pas rëniet dhe ngritjet e veta.
“Mendoj që Oda Ekonomike ka gjithmonë me përcjellë dinamikën në ekonomi e cila është intensive dhe kërkon angazhim. Kërkon një zhvillim i potencialit njerëzorë brenda Odës. Duhet të kemi fokusin e zhvillimit të brendshëm por edhe çështjen e adresimit të çështjeve të bizneseve”, tha ai.
Profesori i ekonomisë në UP, Berat Rukiqi, ka thënë se duhet një komunikim më i mirë i bizneseve, tregut të punës dhe institucioneve të arsimit, në mënyrë që të këtë punësime më të mëdha.
“Do të punohet që sektori privat ta ketë rolin kyç në procesin e zhvillimit ekonomie, jo sektori dhe institucionet publike”, ka thënë Rukiqi.