Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar pas zhvillimeve rreth qumështores Vita, duke e cilësuar të papranueshme çdo qasje që, sipas tij, dëmton prodhuesit vendorë pa fakte dhe pa përgjegjësi.
Në një postim në rrjetet sociale, Rukiqi ka vlerësuar se veprimet ndaj prodhuesve vendorë kanë pasoja për ekonominë dhe punësimin.
“Me sulmu prodhuesit vendorë pa asnjë bazë, pa fakte dhe pa përgjegjësi, është një veprim i papranueshëm që dëmton ekonominë dhe vendet e punës”, ka shkruar ai.
Rukiqi ka theksuar se qumështorja Vita përfaqëson një nga kompanitë më të rëndësishme të prodhimit vendor.
“Qumështorja Vita, si prodhuesi më i madh i qumështit në rajon, është simbol i prodhimit vendor cilësor, i investimeve dhe i punës së mijëra njerëzve”, ka deklaruar ai.
Ai i ka bërë thirrje pushtetit të mos ndërhyjë ndaj bizneseve.
“Pushtetit duhet t’i mbajë duart larg bizneseve”, ka shtuar Rukiqi.