Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se janë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, për pezullimin e punës për një periudhë 12 ditore për gastronominë, raporton Ekonomia Online.
Ai pas takimit që kanë mbajtur me Shoqatën e Gastronomëve, ka thënë se mbyllja e gastronomisë dhe tregjeve me pakicë dhe shumicë do të shkaktojë dëme të mëdha.
“Kemi shprehur mospajtimin tonë si Odë Ekonomike për mbylljen e Gastronomisë dhe e tregtisë me pakicë apo qendrave tregtare pasi dëmet do të jenë shumë të mëdha në sektorin e ekonomisë”
“Politika nuk ka të drejtë të legjitimojë masa pasi që numrin më të madh të rasteve e kanë krijuar vetë politikanët me fushatat zgjedhore”, tha Rukiqi.
Rukiqi ka thënë se nëse pas 12 ditëve s’ka vendim të qartë për financimin e bizneseve atëherë ky vendim s’do të respektohet.
“Në të njëjtën kohë se në rast se brenda këtyre ditëve nuk ka vendim të qartë në përkrahje financiare të bizneseve dhe nëse nuk ka një strategji dalëse se çka pas 12 ditësh në raport me menaxhimin e pandemisë dhe me punën e sektorëve që dëmtohen më së shumti atëherë sigurisht që bizneset do të organizohen dhe do të kundërshtojnë çdo vendim tjetër kufizues”, tha ai.