Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në kuadër të vizitave në kompanitë të cilat kanë dhënë kontribut në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, sot u ndal te një nga tatimpaguesit më të mëdhenj – “HIB Petrol”.
Ai u prit nga pronari i kësaj kompanie, Ibrahim Bucaliu.
Rukiqi për Ekonomia Online tha se kjo kompani jep kontribut të madh për buxhetin e shtetit.
Kreu i OEK-ut theksoi se patriotizmi më i madh për vendin është që të paguhen taksat.
“Nuk është vizitë pa arsye. Arsyeja është shumë specifike: Kjo është kompania me kontributin më të madh në buxhet të shtetit. Edhe këtë vit por edhe në periudhën e lirisë së vendit, pra një kompani me kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit. E kam theksuar edhe më herët se forma moderne e patriotizmit është me pagu taksa edhe me shku çdoherë duke e rritur kontributin, krahas rritjes së performancës në biznes”, u shpreh Rukiqi.
“Kompania ‘HIB Petrol’ e ka kuptuar rëndësinë e kontributit për vendin, duke punuar, duke sofistikuar dhe duke u ofruar shërbime moderne, qoftë këtë pjesën ku ka filluar e naftës apo edhe në shumë investime tjera që i ka bërë në vend. Dhe kjo është më e pakta që ne bëjmë, të vijmë dhe ta vlerësojmë këtë kompani për fundvit – kompaninë me kontributin më të madh në buxhetin e shtetit”.
Rukiqi ka premtuar se përkrahja e Odës për kompanitë vendore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
E pronari i “HIB Petrol”, Ibrahim Bucaliu, tha se është mirënjohës për bashkëpunimin që kanë me OEK-un.
“Faleminderit që keni ardhur këtë fundvit. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin që kemi me Odën Ekonomike të Kosovës. Shpresoj që edhe vitin e ardhshëm do të kemi bashkëpunim edhe më të fortë edhe zëri i Odës dëgjohet edhe atje ku nuk është dëgjuar”.
“‘HIB Petrol’ ka arritur edhe këtë vit të jetë taksapagues më i madh në Kosovë, sikurse dhjetë vite më herët edhe besoj edhe në vitet e ardhshme të mbesim të njëjtit”, tha Bucaliu për Ekonomia Online.