Rumania ka nisur një hetim të hapur pas pretendimeve për dhunë policore në një protestë kundër Qeverisë javën e kaluar, në të cilën qindra persona janë plagosur.
Prokurorët kanë bërë këtë njoftim ndonëse protestat kanë qenë duke vazhduar në ditën e tyre të katërt më 13 gusht.
Rreth 80,000 persona, shumica prej tyre rumunë që jetojnë jashtë shtetit, janë kthyer në shtëpi për të protestuar në Bukuresht, duke akuzuar Qeverinë për korrupsion dhe duke bërë thirrje për dorëheqje.
Për të shpërndarë turmën, policia ka përdorur topa uji, gaz lotsjellës dhe sprej djegës, duke lënë më shumë se 450 persona të plagosur, duke përfshirë 30 policë.
Incidenti ka nxitur kritika të ashpra në Rumani dhe Bashkimin Evropian.
“Deri më tani kemi pranuar 30 ankesa dhe kolegët e mi janë duke intervistuar të plagosurit”, ka thënë prokurori ushtarak, Ionel Corbu më 13 gusht, duke shtuar se “të gjithë të dyshuarit që kanë vepruar kundër ligjit”, do të merren në pyetje.
Prokurorët do të analizojnë dhe videot e forcave të sigurisë teksa janë përfshirë me protestues, shumica e të cilave janë publikuar në mediat sociale.
Komisionerja e BE-së për Drejtësi, Vera Jourova i ka bërë thirrje Qeverisë Rumune të rimendojë ndryshimet e fundit në sistemin e drejtësisë, të cilat kanë nxitur protesta masive.
Protestuesit kanë cituar legjislacionin e miratuar së fundmi, i cili ka dekriminalizuar disa raste të ryshfetit në mesin e politikanëve.
Rumania është përballur me protesta të shpeshta kundër korrupsionit një vit më parë, ndonëse dhuna ka qenë e rrallë.
Në 15 vjetët e fundit, rreth katër milionë rumunë janë larguar nga shteti i tyre për të jetuar në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.
Shumica prej tyre kanë përmendur korrupsionin qeveritar dhe mungesën e mundësive ekonomike si arsye për t’u larguar nga vendi i tyre.