Rumania ashtu sikur edhe disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk po e merr në konsideratë njohjen e shtetit të Kosovës.
Kështu të paktën po thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Jashtme dhënë për Klan Kosovën.
Rumania aktualisht nuk ka asnjë ndryshim sa i përket pozicionit drejt njohjes.
Por, ky vend do të ketë një qasje konstruktive për rrugën evropiane të Kosovës.
“Pozicioni i Rumanisë është një parim, që rrjedh nga një konsensus i përgjithshëm politik dhe i bazuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar. Aktualisht, asnjë ndryshim në këtë pozicion nuk po merret në konsideratë. Rumania do të mbështesë vetëm një zgjidhje për çështjen e statusit të Kosovës, nëse bazohet në marrëveshjen e të dy palëve të përfshira, kontribuon në stabilitetin rajonal dhe është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
“Siç është implementuar gjatë Presidencës Rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2019, Rumania ka një qasje pozitive dhe konstruktive në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa thekson nevojën për BE të respektojë qasjen neutrale të statusit. Ne inkurajojmë aktorët përkatës në Prishtinë të përqëndrohen në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane”.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Rumania e mbështetë këtë sikur të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian duke shpresuar që do të çojë drejt një marrëveshje juridikisht obligative.
“Dialogu Beograd-Prishtinë gëzon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Rumaninë.Rumania shpreson që Dialogu do të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat themelore evropiane, që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe është i pranueshëm për të dy palët. Në këtë drejtim, ne po mbështesim plotësisht punën e Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajcak dhe mirëpresim rifillimin e Dialogut, bazuar në një qasje të përtërirë dhe të qëndrueshme të BE-së”.