Rusia do të nisë javën e ardhshme testimin e vaksinës anti-COVID në 40 mijë njerëz

Prishtinë | 20 Gus 2020 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Testimi masiv i vaksinës potenciale të Rusisë kundër COVID-19 do të nisë javën e ardhshme në më shumë se 40 mijë njerëz dhe do të mbikëqyret nga një panel shkencëtarësh të jashtëm.

Këto ishin detajet e para të publikuara nga zhvilluesit e vaksinës, që po mundohen të shuajnë zërat mes shkencëtarësh për mungesën e të dhënave të publikuara nga Rusia deri tash.

Vaksina, e quajtur Sputnik V, është lavdëruar si e sigurt dhe efikase nga autoritetet ruse dhe shkencëtarët e vet pas dy muajsh të testimeve në masë të vogël, rezultatet e të cilave ende s’janë bërë publike.

Por ekspertët perëndimorë kanë qenë më skeptikë duke shprehur shqetësimin për të, para se të testohet ndërkombëtarisht dhe të ndjekë hapat e rregullatorëve për të dëshmuar që është e suksesshme.

“Një listë shtetesh janë në luftë informatash kundër vaksinës ruse”, ka thënë Kirill Dimitriev, kreu i Fondit Investues Rus, që po mbështet vaksinën, në një konferencë për media, raporton Reuters.

Të dhënat e vaksinës do të publikohen në një gazetë akademike më vonë gjatë muajit, ka bërë të ditur ai.

Rusia deri tash ka marrë kërkesë për gati një miliard doza të vaksinës nga shtete të ndryshme të botës dhe ka kapacitet për të prodhuar deri 500 milionë doza për vit, ka shtuar Dimitriev.

Një drejtor i Institutit të Moskës që ka zhvilluar vaksinën, ka thënë se rreth 40 mijë njerëz do të përfshihen në testimin masiv në më shumë se 45 qendra mjekësore në Rusi.

Të dhënat do t’i ofrohen Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe shteteve të tjera që po konsiderojnë pjesëmarrjen në fazën e fundit të testimeve, ka njoftuar Dimitriev.

Sputnik V tashmë ka marrë aprovimin e rregullatorëve të brendshëm, duke bërë që Rusia të shpallë publike vaksinën e parë kundër COVID-19.

Sipas të dhënave të OBSH-së, të paktën edhe katër vaksina tjera potenciale kundër këtij virusi janë në fazën e tretë të testimeve.

Deri tash në gjithë botën janë regjistruar si të infektuar më shumë se 22.4 milionë persona, ndërsa 788 mijë kanë humbur betejën me virusin. Në Rusi janë regjistruar 939 mijë të infektuar e 16 mijë viktima.

Të ngjashme