“Rusia e sheh Ballkanin sikur para 200 vitesh”

Prishtinë | 14 Nën 2023 | 21:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar sallonin me temën “Në mes vazhdimësisë dhe ndryshimit: Ndikimi rus dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, që nga lufta në Ukrainë”, raporton Ekonomia Online.

Jeta Loshaj dhe Harun Cero, nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES), kanë paraqitur një përmbledhje të politikave sa i përket ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë implikimet e luftës në Ukrainë. Për të diskutuar në lidhje me këtë temë, i ftuar ishte Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, ndërsa nëpërmes një lidhjeje me “Zoom” u paraqit Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës.

Jeta Loshaj, konsulente për Sigurinë Ndërkombëtare në Zyrën e FES në Kosovë, tha se kur kanë kaluar pothuajse dy vjet që nga fillimi i agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, sfidat që rezultojnë nga kjo luftë vazhdojnë, përfshirë implikimet në siguri dhe përkeqësim ekonomik.

Ajo shtoi se Ballkani Perëndimor, si rajon është më i prirur ndaj cenueshmërisë dhe destabilitetit, prandaj vlerësohet edhe dhe më i rrezikuar.

Për Shqipërinë, FES ka intervistuar Ditmir Bushatin, ish-ministër i Jashtëm, i cili ka deklaruar se Shqipëria paraqet disi një anomali kur bëhet fjalë për ndikimin rus, sepse është e vështirë të depërtojë si në publikun shqiptar, por edhe në qeveri. Por, nga ana e Rusisë ka pasur një propagandë. “Për shembull, ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov, zakonisht përpiqet të bëjë deklarata se Shqipëria ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve të saj. Përpiqet të bëjë të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe”, tha Loshaj.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, situata është pak më e komplikuar. “E dimë se Rusia dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike, sepse Rusia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe shpesh herë përpiqet të përdorë kauzën e një precedenti për të justifikuar disa prej akteve të paligjshme jashtë vendit”.

Loshaj theksoi se Rusia përpiqet të përdorë dialogun Kosovë-Serbi për t’u përzier në punët e brendshme të Kosovës, por edhe këtu është e vështirë të depërtosh tek publiku shqiptar. Sipas saj, Rusia përpiqet të bëjë propagandë të tillë, mundohet ta portretizojë ushtrinë e saj si shumë të fuqishme që mund të ndërhyjë për të mbrojtur serbët në Kosovë. “Por të dyja qasjet janë një iluzion, shumica e të intervistuarve janë dakorduar”.

Derisa në Bosnje, fatkeqësisht nëpërmes Republika Serbska dhe Dodikut, Rusia ka ndikim në shumë nivele, politik, siguri, ekonomik, kulturor etj. “Dhe synimi është më së shumti promovimi i politikave anti-NATO, për të destabilizuar më tej vendin”.

Në Mal të Zi, situata gjithashtu është e komplikuar, veçanërisht me qeverinë e sapozgjedhur. “Ekziston një kryetar i ri i parlamentit që është haptazi pro-rus dhe edhe pse Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Një nga të intervistuarit që është një ish-politikan i Malit të Zi tha se Rusia do të donte ta përdorte Malin e Zi si një shpatë në stomakun e NATO-s”.

Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht nuk ka aq shumë ndikim rus dhe ky shtet gjithashtu e ka sanksionuar Rusinë. “Por mbetet për t’u parë, sepse edhe në Maqedoninë e Veriut do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm dhe ka frikë se disa nga partitë me tendenca autoritare mund të kthehen në pushtet”.

Duke folur për ndikimin e Rusisë në Serbi, Loshaj ka cituar profesorin Filip Ejdus nga Universiteti i Beogradit, i cili ka deklaruar se “është një lloj interesi i ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për të përmbushur kërkesat dhe qëllimet e njëri-tjetrit”.

Derisa Rusia e përdor Serbinë si “bazë” për të mbajtur ndikimin te vendet evropiane, Serbia e përdor Rusinë për të vazhduar fushatën e çnjohjeve për Kosovën. “Rusia jo vetëm që përpiqet të dëmtojë imazhin e Kosovës, në përpjekje për ta portretizuar Kosovën si një shtet të dështuar, për të portretizuar Perëndimin si i dobët, por gjithashtu ka lobuar për fushatën e çnjohjeve dhe për fat të keq kemi pasur disa çnjohje të cilat mund të jenë ose jo si një ndikim i drejtpërdrejtë rus, por ato kanë një qasje shumë antagoniste”.

Një tjetër ndikim ose një implikim është se Rusia ka shërbyer si model për disa nga vendet në rajon. “Ashtu si Rusia, përpiqet të ketë aspirata territoriale drejt sferës së saj të mëparshme të influencës, dhe përpiqet të mohojë identitetin e ukrainasve duke theksuar ‘unitetin historik midis Rusisë dhe Ukrainës’; ashtu dhe Serbia po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë ndaj disa prej fqinjëve të saj, veçanërisht Malit të Zi”.

Harun Cero, menaxher Rajonal i Projektit në FES, ka thënë se Rusia ka ndikim më të madh në vendet si Bosnja dhe Mali i Zi. Derisa Mali i Zi është tashmë një anëtar i NATO-s dhe do të ketë një lloj kundërpërgjigjeje për të kundërshtuar këtë ndikim, Bosnja është më e pambrojtura ose “barku i butë” i Ballkanit Perëndimor.

Cero theksoi se Rusia nuk e bllokon më vetëm anëtarësimin në NATO të vendeve të Ballkanit, por mundohet ta pengojë dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Enver Hoxhaj, deputet në Kuvendin e Kosovës, dhe ish-ministër i Jashtëm, tha se kishte nisur ta kuptonte më mirë Rusinë gjatë negociatave të mbajtura në Vjenë, të udhëhequra nga Marty Ahtisaari.

“Erdha në përfundimin se ajo që thoshte Rusia dhe ajo që bënte janë krejt diçka tjetër”, u shpreh Hoxhaj.

Sipas deputetit të PDK-së, Rusia e sheh Ballkanin ashtu sikur e shihte para 200 vitesh.

“Rusia mund të kuptohet nga këndvështrimi i shekullit të 19-të dhe 20-të. Ata e shohin rajonin si një platformë për konkurrencë me Perëndimin”.

Hoxhaj shtoi se kur ndodhi agresioni rus kundër Ukrainës, të gjithë mendonin se lufta do të jetë e shkurtër. “Ne duhet të kuptojmë se lufta në Ukrainë do të jetë në një farë mënyre një luftë e papërfunduar. Edhe nëse do të kishim një paqe nga fundi i vitit 2023 ose fillimi vitit 2024, Rusia do të kthehet përsëri dhe do të sulmojë përsëri Ukrainën pas disa vitesh. Sepse këtë e kemi edhe në atë që po ndodh tani në luftën e Gazës. Është një lloj lufte e papërfunduar”.

“Ne histori kemi periudha të ngurta, kur nuk mund të ndodhin ndryshime. Mu për këtë, Ballkani dhe BE-ja duhet të presin të përfundojë lufta në Ukrainë”, theksoi Hoxhaj.

Jeton Zulfaj, këshilltar Politik në Zyrën e Kryeministrit, tha se Serbia vazhdon të mbajë lidhje të thella me Rusinë. Sipas tij, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, tregoi se Serbia nuk shikon nga e ardhmja, por ka mbetur në të kaluarën.

Ai shtoi se veprimet e Serbisë për një kohë të gjatë janë toleruar nga Bashkimi Evropian. “Sipas meje, kjo nuk ka ndihmuar në demokratizimin e Serbisë… Nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa vlera të BE-së”.

Nga ana tjetër, Zulfaj theksoi se është për keqardhje që Kosova nuk ishte pjesë e përfitimeve nga Pakoja e Zgjerimit e BE-së. “Ne besojmë që BE-ja duhet të ketë një qasje të bazuar në meritë dhe të ketë një qëndrim dhe të sanksionojë Serbinë për sulmin terrorist dhe pse po bëhet një satelit i Rusisë në rajon”.

Derisa Kosova, sipas këshilltarit të Kurti, duhet të investojë në forcimin e ushtrisë së saj, si dhe duhet të ketë një qasje të përshpejtuar sa i përket anëtarësimit në Partneritet për Paqe, që i paraprin anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike.

Të ngjashme