Rusia e ka shpallur të martën Radion Evropa e Lirë (REL) si “organizatë të padëshirueshme”, sipas një regjistri të Ministrisë së Drejtësisë.
Në përditësimin e fundit është bërë e ditur se Radio Evropa e Lirë është shpallur e padëshirueshme prej 2 shkurtit, ndërsa vendimi është bërë publik më 20 shkurt.
Sipas regjistrit, REL-i është entiteti i 142-të që është përfshirë në listë.
Ligji për “organizata të padëshirueshme” është miratuar më 2015, dhe është përkrahur prej Kremlinit, për të rregulluar organizatat joqeveritare që pranojnë fonde prej jashtë.
Ky ligj prek organizatat, aktivitetet e të cilave, sipas autoriteteve ruse, përbëjnë kërcënim për themelet e strukturës kushtetuese të shtetit, për sigurinë, dhe mbrojtjen.
Përfshirja në listë nënkupton që një organizatë nuk mund të operojë në Rusi, dhe qytetarëve të Rusisë u ndalohet bashkëpunimin me të, sepse në të kundërtën rrezikohen nga ndjekja penale.
Sipas Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve, autoritetet ruse kanë shpallur dhjetëra organizata mediale si “të padëshirueshme” prej vitit 2021.
Aty përfshihen shumë media të pavarura, disa prej të cilave tani ose janë mbyllur, ose veprojnë jashtë Rusisë, përfshirë: Dozhd TV, Meduza, Novaya Gazeta Europe, iStories, The Insider, Bellingcat dhe Proekt.
Radio Evropa e Lirë është korporatë e pavarur amerikane, e financuar prej Kongresit amerikan, përmes Agjencisë së SHBA-së për Media Globale.
Radio Evropa e Lirë ka prezencë përmes 27 gjuhëve në 23 shtete – kryesisht për audiencat ku liria e mediave është e kufizuar.
Faqet dhe llogaritë e REL-it nëpër rrjetet sociale, përfshirë faqet e Shërbimit rus të kompanisë, janë bllokuar prej Roskomnadzor-it, agjencisë federale që monitoron mediat ruse, në pranverë të vitit 2022, për shkak të refuzimit për të hequr informacionin për luftën e nisur prej Rusisë në Ukrainë.
Pavarësisht bllokadave, interesimi i audiencës për informacionin që ofron REL-i dhe Current Time – televizion i krijuar prej Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – vazhdon të jetë i madh, pasi kompania regjistron miliona klikime nëpër faqet e saj në internetit dhe në plaformat tjera që ka. /REL