Rusia gati të pushtojë Ukrainën, rritet frika në Europën Lindore

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Situata në qytetin Narva të Estonisë ka filluar të tensionohet. Nga dritarja e zyrave të qeverisë, Katri Raik, kryetarja e bashkisë, mund të shohë makinat dhe kamionët që ndodhen tashmë në kufi. Më shumë se 80% e banorëve të Narvës janë rusë etnikë, një trashëgimi e shekujve gjatë të cilave Narva ishte fillimisht pjesë e Perandorisë Ruse dhe më pas e Bashkimit Sovjetik. Rusët etnikë, gati një e katërta e popullsisë, janë bërë më të integruar që kur Estonia fitoi pavarsinë 30 vite më parë.

Megjithatë, shumica ende i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla në gjuhën ruse dhe ndjekin televizionet ruse dhe mediat online. Një ish-ministre e brendshme, Raik u zgjodh në dhjetor kryetare duke u zotuar të kapërcejë hendekun. Një shkollë e re e mesme në gjuhën estoneze do të hapet në shtator.  Ekonomia,  dikur e varur nga industria e rëndë e epokës sovjetike, tani është e orientuar drejt Perëndimit. Por ngritja ushtarake e Rusisë në kufirin ukrainas po i kujton Narvës se cili është pozicioni i saj, raporton The Economist.

Opinioni ndahet sipas linjave të caktuara. Estonezët etnikë e kanë cilësuar Rusinë si agresore, ndërsa rusët etnikë prireshin të mendonin se rreziku i luftës ishte i ekzagjeruar ose  fajësonin NATO-n. Në të gjithë Europën Lindore, situata në Ukrainë ka shkaktuar frikë tek të gjithë. Shumica e vendeve, përfshirë Estoninë, janë anëtarë të NATO-s dhe nuk shohin rrezik nga Rusia. Por ekspansionizmi rus dhe sovjetik ka formësuar politikën e tyre për dekada, në mos me shekuj, raporton abcnews.al

Këto ditë, shumë europiano-lindorë janë në mosmarrëveshje me Kremlinin mbi furnizimet me energji apo rrjetet e korrupsionit të financuara nga Rusia. Të tjerët kanë krijuar marrëdhënie më miqësore, të ndihmuar nga tregtia, minoritetet rusishtfolëse ose politikanët që kanë marrëdhënie të mira me Vladimir Putin, presidentin e Rusisë. Por edhe në vende të tilla, kriza në Ukrainë po shkakton probleme.

Vendet baltike, të cilat ishin pjesë Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1991, janë zërat më të fortë për parandalimin e vendosjes së sanksioneve më të ashpra.

“Ndërvarësia do të thotë që ju mund të lëndoni atë që është i varur nga ju”, sipas Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë, familja e cilës u deportua në Siberi nën udhëheqjen e Stalinit. Qeveria e saj i ka bërë presion Gjermanisë që të mos miratojë gazsjellësin Nord Stream 2 nga Rusia.

Ajo po përpiqet gjithashtu të dërgojë armë në Ukrainë, por Gjermania ka bllokuar transportin  e pajisjeve të prodhimit gjerman. Më 27 janar, ministri i Mbrojtjes i Letonisë e quajti qëndrimin gjerman “imoral dhe hipokrit”.

Verën e kaluar, kur Putin shkroi një artikull duke pretenduar se Ukraina nuk ishte një komb historik legjitim, u ra këmbanave të alarmit në Estoni, Letoni dhe Lituani, sepse ai kishte bërë argumente të ngjashme rreth tyre në mesin e viteve 2000. Planifikuesit e mbrojtjes në këto vende e konsiderojnë Rusinë një kërcënim ekzistencial. “Nëse Putin pushton Ukrainën, ne jemi të radhës”, tha një zyrtar i lartë qeveritar i një vendi baltik, raporton abcnews.al

Në Rumani dhe Bullgari gjërat janë më komplekse. Të dy vendet janë anëtarë të NATO-s. Por politika e tyre është e rrënuar nga korrupsioni, një pjesë e tij e lidhur me Rusinë. Politikanët nuk kanë qenë gjithmonë entuziastë për politikat amerikane dhe përpjekjet kundër korrupsionit me sigurinë rajonale. Ndërsa politikanët rumunë kanë kërkuar prej vitesh që NATO të rrisë praninë e forcave ,ata bullgarë priren të shmangin vendosjen e trupave ushtarakë  për të shmangur provokimet.

Megjithatë, të dy vendet ishin të zemëruar kur Rusia kërkoi më 21 janar që NATO të tërhiqte forcat aleate nga territori i tyre. Ata kanë mirëpritur propozimet amerikane për të vendosur më shumë trupa në kufi. Pikërisht në Europën Qendrore qëndrimet ndaj Rusisë janë më ambivalente.

Viktor Orban, kryeministri populist i Hungarisë, ka një marrëdhënie miqësore me Putin dhe do ta vizitojë atë në Moskë më 1 shkurt. Ai ka imituar modelin e qeverisë së Putin, duke marrë në fakt kontrollin e mediave dhe gjyqësorit të vendit të tij dhe duke e cilësuar veten si mbrojtës i Europës së krishterë (kundër BE-së së pafe, ndër të tjera).

Ai ka blerë centrale bërthamore ruse dhe ka arritur marrëveshje për gazin rus që anashkalojnë Ukrainën. Qeveria e tij ka bërë thirrje që BE të heqë sanksionet ndaj Rusisë. Milos Zeman, presidenti i Republikës Çeke, ka gjithashtu një marrëdhënie të mirë me Putin. Në dhjetor ai vonoi zgjedhjen e qeverisë së kryesuar nga Petr Fiala lidhur me zgjedhjen e tij për një ministër të jashtëm pro BE-së dhe anti-korrupsionit.

Por opinioni çek ka ndryshuar që nga zbulimi i vitit të kaluar se një depo municionesh lokale u hodh në erë në vitin 2014 nga agjentët rusë. Qeveria e Polonisë, gjithashtu, ka njëfarë  afrimiteti me Putin. Ajo është konservatore, fetare dhe nacionaliste dhe po lufton me BE-në për përpjekjet e saj për t’i kthyer gjyqtarët në pione politike.

Megjithatë, ajo është qeveria më e ashpër anti-ruse në Europë. Jaroslaw Kaczynski, kreu i partisë në pushtet, humbi vëllanë e tij, në atë kohë president, në një aksident me avion në vitin 2010, për të cilin ai beson që ishte shkaktuar nga Rusia.

Më e rëndësishmja, Perandoria Ruse sundoi pjesën më të madhe të Polonisë gjatë shekullit të 19-të dhe u përpoq të kishte në kontroll të gjithë  popullsinë e saj. Në Luftën e Dytë Botërore, Stalini ndau Poloninë dhe ekzekutoi pjesën më të madhe të elitës së saj. Shumë polakë e shohin Rusinë si një vend që u përpoq t’i eliminonte ata si komb.

Vendet e Europës Lindore do të paguajnë një çmim për izolimin e Rusisë. Dobësia e tyre kryesore është energjia. Në tetor, Moldavia u detyrua të nënshkruante  një marrëveshje të shtrenjtë  me Gazprom dhe rritja e faturave të energjisë elektrike pothuajse rrëzoi qeverinë e  Kallas në janar.

Por vetëm për vendet baltike Rusia është ndër pesë tregjet kryesore të eksportit. Në asnjë vend investimet direkte nga Rusia nuk janë më shumë se një e dhjeta e asaj të BE-së. Në Narva, për shembull, rreth 30% e firmave në zonën industriale të qytetit janë në pronësi të rusëve, duke përfshirë edhe Vadim Orlov, kryetar i zonës. Biznesmenët rusë kërkojnë fabrika në një vend të qeverisur nga sundimi i ligjit, ku ato nuk mund të vidhen nga individë që kanë lidhje politike.

Pse duhet Estonia të mbështesë sanksione të ashpra që mund t’i vështirsojnë  bizneset e saj që janë në pronësinë e rusëve?

Një arsye e mundshme është se edhe Rusisë i pëlqen të përdorë sanksione, shpesh në mënyrë abuzive. Kallas përmend vitin 2007, kur Rusia u hakmor për heqjen e një memoriali për ushtarët sovjetikë në Talin duke ndërprerë furnizimin me karburant.

Dumitru Alaiba, një deputet moldav, kujton vitin 2014, kur Rusia i vendosi vendit të tij  embargo pasi nënshkroi një marrëveshje asociimi me BE-në.

“Ne kemi mësuar se përballja me Rusinë ka rreziqe”, tha Kallas. Nëse lidhjet e Europës Lindore me Rusinë dobësohen edhe më shumë, Putin duhet të  fajësojë  veten.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme