Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë të mërkurën se shpreson që shtetet Perëndimore nuk do të marrin pjesë në ato që ministria i ka cilësuar si “provokime” të Ukrainës afër Ngushticës Kërç, si dhe ka kërkuar nga Perëndimi ta mbajë Kievin larg përshkallëzimit të tensioneve në këtë zonë, transmeton Reuters.
Javën e kaluar, Ukraina ka thënë se planifikon të dërgojë anije luftarake në Detin Azov përmes Ngushticës Kërç, pavarësisht pse Rusia i ka aneksuar tri anije dhe stafin që ka qenë në to, në muajin nëntor.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson ka vizituar Ukrainën javën e kaluar, me ç’rast i ka thënë homologut të tij ukrainas se Deti i Zi nuk i përket Rusisë dhe se Britania do të dërgojë anije në këtë zonë, për të treguar se Kievi nuk është i vetëm.
Ky hap i Rusisë ka nxitur pakënaqësi të shumta, derisa Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë e shtimit të sanksioneve ndaj Rusisë, pas vendimit të saj për të aneksuar anijet ukrainase.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar Rusinë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014 si dhe për mbështetjen që Kremlini ofron për separatistët që luftojnë në lindje të Ukrainës.
Ky konflikt deri më tani ka rezultuar me rreth 10,300 persona të vdekur.