Rusia miraton vaksinën e tretë

Prishtinë | 20 Shk 2021 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Rusia të shtunën njoftoi se e ka miratuar për përdorim vaksinën e tretë kundër koronavirusit. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Mikhail Mishustin.

Nasuf Abdyli

Vendimi për miratimin e vaksinës së tretë u mor pavarësisht faktit se ende nuk ka filluar testimi i gjerë i saj në njerëz. Vaksina e tretë që u miratua quhet CoviVac dhe është zhvilluar nga Qendra “Chumakov”.

Rusia tashmë ka miratuar për përdorim dy vaksina të tjera, përfshirë vaksinën “Sputnik V”, të zhvilluar nga Instituti “Gamaleya”, shkruan Reuters.

Federata Ruse në gusht të vitit të kaluar u bë shteti i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër sëmundjes Covid-19. Vaksinimi masiv i popullsisë nisi në dhjetor, pasi rezultatet preliminare treguan se vaksina “Sputnik V” është 91.4 për qind efektive.

Prej asaj kohe, mbi dy milionë rusë janë vaksinuar së paku me dozën e parë të vaksinës “Sputnik V”, tha më 10 shkurt ministri rus i Shëndetësisë, Mihkail Murashko.

“Sot, Rusia është i vetmi shtet që tashmë ka tri vaksina kundër Covid-19”, tha kryeministri Mishustin. Qendra që e zhvilloi këtë vaksinë njihet për bashkëpunimin me shkencëtarin amerikan, Albert Sabin, në kulmin e Luftës së Ftohtë, që solli te prodhimi i vaksinës kundër polios.

Ndërkohë në Kosovë, vëmendja publike vazhdon të jetë kryesisht e përqendruar rreth statuseve që bëjnë politikanët në rrjete sociale.

Përderisa vendet e rajonit e kanë filluar fushatën e vaksinimit disa javë më parë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur t’i sjellë dozat e para. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se vaksinat do të vijnë në fund të shkurtit. Pritet të shihet nëse kjo do të ndodhë brenda tetë ditëve të ardhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme