Një komision i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara mbi lirinë fetare rekomandoi që Rusia të emërtohet si “vend i shqetësimit të veçantë”, duke e vënë atë në një grup me shkelësit më të këqij të lirisë fetare në botë.
Komisioni i SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare tha në raportin vjetor se rekomandon, për herë të parë, që Rusia të njihet si shkelëse ligjore, së bashku me 15 vende të tjera.
Komisioni tha se Rusia është unike në mesin e vendeve të tjera, sepse është shteti i vetëm jo vetëm që “intensifikon vazhdimisht shtypjen mbi lirinë fetare”, por edhe zgjeron politikat e saj shtypëse në territorin e një shteti fqinj – një referencë kjo për gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar në vitin 2014.
Raporti po ashtu përmend një ligj të vitit 2016, i cili, siç thuhet, penalizon në mënyrë efektive të gjitha fjalimet private fetare, që nuk janë lejuar nga shteti.
I njohur si Ligji Yarovaya, ai shtrëngon kufizimet e aktiviteteve të grupeve fetare, posaçërisht grupet e vogla siç janë mormonët dhe disa sekte të krishtera.
Raporti përmend edhe një vendim të Gjykatës Supreme të Rusisë, këtë muaj, i cili imponoi një ndalim mbarëkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait.
Kryetari i Komisionit të SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare, Thomas Reese, tha se SHBA duhet t’i dërgojë mesazh të qartë Rusisë se ajo nuk do ta lejojë fushatën e vazhdueshme të sulmeve dhe kërcënimeve kundër lirisë dhe besimit fetar.